Kosovë

Nis aksioni i lirimit të hapësirave të gjelbra në lagjen “Ortakoll” të Prizrenit

 

Nëpërmjet Inspektoratit, Komuna e Prizrenit ka filluar të enjten aksionin për lirimin e hapësirave të gjelbra në lagjen “Ortakoll”, të cilat prej kohësh shfrytëzohen në mënyrë të paautorizuar. Disa gastronomë janë ankuar se nuk ka barazi në trajtim të bizneseve. E zyrtarët komunalë kanë theksuar se aksioni do të zbatohet deri në lirimin e të gjitha hapësirave të gjelbra

Drejtoria e Inspektoratit e Komunës së Prizrenit të enjten ka ndërmarrë veprime për lirimin e hapësirave të gjelbra në lagjen “Ortakoll”, të cilat prej kohësh janë shfrytëzuar në mënyrë të paautorizuar.

Zyrtarët e këtij dikasteri kanë theksuar se aksioni do të zbatohet deri në lirimin e të gjitha hapësirave të gjelbra. Por në mesin e gastronomëve që veprojnë në këtë lagje janë adresuar shqetësime se organet komunale po aplikojnë standarde të dyfishta lidhur me lirimin e hapësirave publike.