Kosovë

Ferizaj mbushet me qen endacakë pas njoftimit për hapjen e strehimores

 

Komuna e Ferizajt po përballet me numër në rritje të qenve endacakë që, sipas zyrtarëve komunalë, po sillen nga komuna të tjera pasi Ferizaj njoftoi se së shpejti do ta hapë qendrën për trajtim të qenve endacakë.

Burim Bajrami, drejtor për Bujqësi në Komunën e Ferizajt, ka thënë se gjatë ditëve të fundit qytetarë nga komunat fqinje po sjellin qen endacakë me mjete transportuese, madje me sasi të mëdha. Sipas tij, kamerat e sigurisë së qytetit nuk po arrijnë t’i kapin për shkak se qentë endacakë po lirohen në periferi. Komuna e Ferizajt ka kërkuar bashkëpunim me qytetarët dhe me organet e Policisë që ta njoftojnë komunën se kush po i sjell gjithë këtë numër të madh të qenve endacak në qytetin e Ferizajt.