Kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, ka bërë thirrje për ndihmë në rindërtimin e zonave të shkatërruara nga vërshimet, rimëkëmbjen e familjeve të prekura dhe kthimin e jetës normale.
Ai bëri apel që kjo ndihmë të bëhet përmes fondit të cilin e ka krijuar kjo komunë.
Edhe nënkryetari Sami Lushtaku, ka njoftuar për krijimin e një fondi të kësaj komune përmes së cilit do të ndihmohen familjet e prekura nga vërshimet e fundit në vend.
Lushtaku ka kërkuar nga qytetarët brenda dhe jashtë shtetit, bizneset e fondacionet e ndryshe që të kontribuojnë në këtë fond.
“Me qëllim të përballimit të situatës së rëndë që është krijuar pas vërshimeve në komunën tonë, lus të gjithë qytetarët brenda dhe jashtë vendit, bizneset, shoqatat bamirëse, fondacionet e gjithë njerëzit e vullnetit të mirë, që të kontribuojnë në këtë fond përmes të cilit do të ndihmohen familjet që kanë pësuar nga kjo fatkeqësi natyrore dhe do të bëhet rindërtimi i zonave të shkatërruara të Skenderajt”, ka shkruar Lushtaku, duke i bashkëngjitur edhe të dhënat për fondin.
Vërshimet të cilat ndodhën javën e kaluar në Kosovë, shkaktuan dëme të shumta. Ndër komunat më të prekura ishin Skenderaj, Mitrovica, Klina e Drenasi.
Kryetari i Skenderajt, Fadil Nura, deklaroi të dielën se minimumi 10 milionë euro dëme janë shkaktuar në këtë komunë nga vërshimet e ditëve të fundit.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.