1 perditesime
13:21

Vitia për koeficientin: Si mjek e ministër do të doja paga më të larta për stafin shëndetësor

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka thënë se koeficienti i ri më së miri ka adresuar dhe rritur nivelin e pagave të personeli shëndetësor, ndonëse ka shtuar se si mjek dhe ministër i Shëndetësisë do të donte paga edhe më të larta.

Në konferencën për media pas vizitës në Ferizaj, Vitia ka theksuar po ashtu se krahas koeficientit të ri do të ketë edhe shtesa për personelin shëndetësor që punon vetëm në sektorin publik, si dhe shtesa të tjera si ajo e rrezikshmërisë në vendin e punës.

“Nëse më pyesni mua si mjek dhe ministër i Shëndetësisë, kisha dashur të ishin akoma më të larta. Mirëpo kjo kategori ka përfituar pagat më të larta nga ky koeficient. Në anën tjetër, jemi të përkushtuar që përveç përmirësimit të kushteve, që janë edhe në aspektin infrastrukturor por edhe në mjetet e reja të punës, që të kemi temë bisedimi edhe incentiva tjera për krijimin e kushteve më të mira për punëtorët shëndetësorë. Është në tavolinë dhe tani shumë shpejt do të procedojmë. Për personelin shëndetësor, të cilët zgjedhin të punojnë vetëm në sektorin publik, do të ketë shtesa. Natyrisht, do të ketë edhe shtesa të tjera që kanë të bëjnë me rrezikshmërinë në vendin e punës dhe tjera, të cilat ne do t’i diskutojmë në mënyrën më të sinqertë me Federatën Sindikale të Shëndetësisë, me të cilën nga takimi që kam pasur, nuk janë fare të interesuar të hyjnë në grevë”, ka deklaruar Vitia.

Ai po ashtu tregoi se si po ndihet pas rikthimit në postin e ministrit të Shëndetësisë për të tretën herë.

“Unë jam për të tretën herë, është e vërtetë që shumë po më thonë ‘veteran’. Herën e parë kam qenë katër muaj, prej të cilëve 2.5 në detyrë, ku bashkë me kryetarin Aliu dhe kryetarët e komunave tjera mendoj se kemi bërë punë të mirë, ka qenë mandati i dytë ku kam qenë 6 muaj ku ka qenë procesi i vaksinave, një që është e vetmja e mirë që është që është përmendur në Raportin e Progresit në shëndetësi dhe tani është hera e tretë që tani është 1 muaj. Do të thotë 11 muaj në total unë kam qenë në zyrën e ministrit të Shëndetësisë, natyrisht me përgjegjësinë mbi supe dhe i vetëdijshëm për problemet që na presin”, ka deklaruar Vitia.

Ai nuk ka komentuar arsyen e dorëheqjes së ish-ushtrueses së detyrës së drejtoreshës së SHSKUK-së, Pranvera Raçit, derisa tregoi se kur pritet të hapet konkursi për drejtor të ri.

“Ajo çka kam lexuar nga dorëheqja e ish-ushtrueses së detyrës së drejtoreshës, Pranvera Raçi nuk koincidon me atë që thoni ju... Unë e kam falënderuar personalisht për kontributin dhe dinamikën që i ka shtuar ShSKUK-së... Ka qenë një dorëheqje, edhe pse kemi pasur një takim, të cilën e kam pranuar. Jemi në fazat finale, statuti i ShSKUK-së është në fazat finale teknike për të ecur tutje, me organogram të ri... Menjëherë pas nënshkrimit të këtij statuti do të ketë konkurs për drejtor të ShSKUK-së”, ka theksuar Vitia.

Me rastin e vizitës së tij në Ferizaj, ai ka theksuar se janë duke u angazhuar intensivisht për ndërtimin e spitalit regjional dhe QKMF-së në këtë komunë. / KP

12:38

​Vitia: Jemi të përkushtuar për ndërtimin e spitalit rajonal dhe QKMF-së në Ferizaj

Ministria e Shëndetësisë dhe Komuna e Ferizajt kanë rënë dakord për ndërtimin e Spitalit Regjional dhe të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në këtë komunë. Kjo u bë e ditur në një konferencë për media të enjten pas takimit që ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, pati me kreun e kësaj komune, Agim Aliu.

Vitia ka thënë se do të angazhohen me intensitet të shtuar për ndërtimin e këtyre dy objekteve shëndetësore, për të cilat shtoi se do të kujdesen t’i shoqërojnë me staf shtesë.

“Qysh u dakorduam edhe me kryetarin, kjo tani do të zgjidhet si nyje dhe besoj se pas takimit të sotëm nuk kemi asnjë arsye që kjo nyje të mos zgjidhet dhe do të vazhdojmë përpara dy projekte jetike për qytetarët, siç ëhstë QKMF-ja dhe Spitali i Ferizajt... Ministria e Shëndetësisë do të vazhdojë punën me një intensitet të shtuar në mënyrë që qytetarët e Ferizajt të kenë qasje në shërbime cilësore, ashtu siç e meritojnë”, ka thënë Vitia.

Sipas Aliu, ndërtimi i këtyre institucioneve shëndetësore në Ferizaj do të hapë një kaptinë të veçantë për këtë komunë.

“Kemi dakordim me ministrin që dy çështjet jetike të Ferizajt, ndërtimi i spitalit regjional dhe ndërtimi i QKMF-së së re, jemi dakorduar se do t’i përmbyllim si procese... Biseduam me ministrin që Ferizaj, dhe shëndetësia e Ferizajt është e kufizuar edhe sa i përket resurseve humane të të gjitha kategorive, dhe shpresojmë se në të ardhmen ndërtimi i spitalit të Përgjithshëm dhe QMF-së do të shkojnë krahas që pastaj të shoqërohen me staf përcjellës... Jam i sigurt se do të fillojë një kaptinë e veçantë për Ferizajn”, ka thënë ai. /KP