Opozita ankohet për mosveprim nga pushteti në Fushë-Kosovë për themelimin e ndërmarrjes komunale
Është bërë një vit prejse Kuvendi Komunal i Fushë-Kosovës e nisi iniciativën për ta themeluar një ndërmarrje publike komunale. Por, nga atëherë nuk dihet nëse është ndërmarrë ndonjë hap për ta konkretizuar këtë proces. Opozitarët në këtë komunë thonë të mos kenë pranuar asnjë informatë nga ekzekutivi rreth nismës. Ndërkaq, nga niveli qendror kanë kuptuar se kërkesa është kthyer mbrapsht. E zyrtarët komunalë nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS për çështjen
Pa ndërmarrje publike komunale mbetet Komuna e Fushë-Kosovës, edhe një vit pas nisjes së procedurave për themelimin e saj.
Lidhur me inicimin e ndonjë veprimi për jetësimin e kësaj nisme, KOHA që prej 30 janarit nuk ka marrë përgjigje në pyetjet e adresuara te zyrtarët komunalë.
E vërejtje rreth mungesës së informatave nëse është bërë ndonjë lëvizje në këtë drejtim kanë shprehur edhe në opozitë.
“Pothuajse po bëhet një vit prejse ne kemi votuar një vlerë prej 10 mijë eurove si nismë themeltare për ndërmarrjen publike që në komunën tonë mungon dhe është më se e nevojshme. Mirëpo, që nga ajo kohë nuk kemi asnjë përgjigje dhe asnjë hap më tutje rreth kësaj pike. Dhe, edhe sot e kësaj dite nuk kemi një përgjigje a ka lëvizur a ka mbetur veç si nismë”, ka deklaruar Mirsad Qyqalla, shef i grupit të këshilltarëve të PDK-së në Fushë-Kosovë.
Këshilltarët opozitarë thanë se punët në këtë komunë kanë mbetur peng i funksionalizimit të ndërmarrjes komunale.
“Duke e parë rëndësinë dhe nevojën urgjente që të themelohet një ndërmarrje komunale, ne kemi kontaktuar me ministritë përkatëse, të cilat na kanë njoftuar se kërkesa e Komunës së Fushë-Kosovës është kthyer për t’u ndryshuar dhe për t’u plotësuar në disa pika, ku një ndër to është edhe plani i biznesit ku, sipas ministrisë, nuk e jep garancinë dhe sigurinë që kjo ndërmarrje mund të funksionojë si e tillë”, ka thënë Durim Hajra, shef i grupit të këshilltarëve të LVV-së në Fushë-Kosovë.
Në dokumentin që ishte prezantuar para një viti në Kuvendin Komunal thuhet se ndërmarrja “Fushë-Kosova” do të mirëmbante investimet e kësaj komune, si dhe hapësirat publike, si parqet, rrugët, oborret e objekteve shkollore e shëndetësore, fushat e sportit, hyrjet e njësive banesore dhe tregjet e parkingjet.
Në opozitë ndërkaq, theksuan se gjendja e këtyre hapësirave nuk është aspak e mirë.