Mbi 200 fshatrave iu mundësohet lidhja në internet
Në Herticë të Podujevës, të martën, është shënuar shtrirja e infrastrukturës telekomunikuese në 201 fshatra. Projekti për të mbuluar fshatrat e thella me internet është realizuar përmes një projekti të Bankës Botërore. Në ceremoni, kryeministri Albin Kurti ka thënë se Qeveria po sigurohet që përfitimet nga digjitalizimi t’i gëzojnë të gjithë qytetarët pa dallim rajoni, gjinie, etnie apo statusi ekonomik
Fshati kufitar Herticë i Podujevës është i fundit në Kosovë që është lidhur me internet me shpejtësi të lartë. Në kuadër të projektit të financuar nga Banka Botërore për ekonominë digjitale në Kosovë (KODE), janë lidhur 201 fshatra, 107 shkolla dhe 43 institucione shëndetësore me infrastrukturë të internetit brezëgjerë me shpejtësi të lartë.
Ky projekt ka mundësuar lidhje të internetit për më shumë se 60.000 njerëz që jetojnë në zonat rurale.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë, të martën, se Qeveria po sigurohet që përfitimet nga digjitalizimi t’i gëzojnë të gjithë qytetarët pa dallim rajoni, gjinie, etnie apo statusi ekonomik.
“Falë këtij programi, tashmë janë trajnuar mbi 400 të rinj e të reja në fusha të ndryshme të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, përderisa deri në fund të programit ky numër do të arrijë në 2000. Gjithashtu është mundësuar lidhja në internet brezgjerë të 201 fshatrave, 107 shkollave dhe 43 ambulancave, që më parë nuk kanë pasur një lidhje të tillë”, ka thënë Kurti.
Sipas tij, kjo lidhje e zonave rurale, duke përfshirë edhe ato më të thella në internet brezgjerë, nuk është vetëm një projekt infrastrukturor, por një hap në rritjen dhe zhvillimin e gjithmbarshëm të shtetit.
“Është një qasje në shërbime, mundësi për arsim e kujdes shëndetësor më të mirë, dhe prosperitet ekonomik në çdo cep të vendit”, ka thënë Kurti.
Ai ka thënë se Kosova është vendi më i mbuluar me infrastrukturë brezgjerë, kampione në rajon dhe e krahasueshme me shtetet e zhvilluara të Bashkimit Evropian.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka thënë se ky projekt do të mundësojë që të kenë qasje në të dhëna, si dhe mundësi ekonomike e punësim.
“Infrastruktura jonë digjitale e vendos Kosovën në rend të parë në rajon dhe në dispozicion konkurrues me shtetet evropiane. Sot në Herticë , një ndër 201 fshatrat që i kemi mbuluar me internet, po shënojmë punën që është bërë për të mbuluar çdo cep të Kosovës me internet”, ka thënë ajo.
Rëndësia e projektit u theksua edhe nga menaxheri i Banës Botërore për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, Massimiliano Paolucci.
“Qasja në internet me shpejtësi të lartë dhe në infrastrukturë më të mirë digjitale në përgjithësi do të përmirësojë lidhjet e Kosovës me ekonominë globale, e cila është thelbësore për një ekonomi më produktive dhe me rritje më të shpejtë, dhe do të sjellë përfitime për të gjithë njerëzit e Kosovës”, ka thënë Paolucci.
Edhe Nicole Klingen, menaxhere e Praktikës së Bankës Botërore për Zhvillimi Digjital për Evropën dhe Azinë Qendrore, ka thënë se qasja në brez të gjerë me shpejtësi të lartë mund të ndihmojë në ofrimin e shërbimeve publike, të ofrojë mundësi për përvetësimin e aftësive dhe të gjenerojë të ardhura përmes punës në internet.
“Ne jemi të kënaqur të shohim se Kosova po i arrin prioritetet dhe ambiciet e saj digjitale dhe besojmë se investimet në zhvillimin digjital do të japin një kontribut transformues në ekonominë e Kosovës dhe do të përmirësojnë jetën e njerëzve të saj”, ka thënë ajo.
Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpetim Bulliqi, ka thënë se me shtrirjen e internetit në të gjitha shkollat, nxënësit dhe mësuesit kanë qasje në internet.
“Me internet qytetarët dhe bizneset përfitojnë. Interneti është një ndihmë e madhe edhe për biznesin dhe punësimin e të rinjve tanë. Nga ky projekt përfituan 13 fshatra me 2300 banorë, pesë shkolla dhe një ambulancë”, ka thënë ai.
Zgjerimi i internetit me brez të gjerë në zonat rurale të Kosovës ishte një komponent i projektit KODE.
Ai po ofron gjithashtu trajnime për aftësitë digjitale si për programet e zhvillimit celular iOS dhe Android, marketingun digjital, bazat e TI-së, administrimin e rrjetit dhe teknologjitë e printimit 3D, për rreth 2000 të rinj në mbarë Kosovën.
Projekti KODE u miratua nga Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë të Bankës Botërore në vitin 2019. Ai u financua me një kredi koncesionare në vlerë prej 20 milionë e 700 mijë eurosh nga Shoqata Ndërkombëtare e Zhvillimit (IDA) e Grupit të Bankës Botërore.
Nga ky projekt në Komunën e Podujevës kanë përfituar edhe fshatrat Turiqicë, Brainë, Pushevicë, Kalaticë, Berminik, Metergovc, Miroc, Brecë, Murgullë, Sylevicë, Ternavicë dhe Zhiti.