Iu ndërruan tetë mësimdhënës, prindërit në Nasalë nuk i dërgojnë fëmijët në shkollë
Disa prindër në fshatin Nasalë të Gjilanit tash e tri javë nuk i kanë dërguar fëmijët e tyre filloristë në shkollë, në shenjë proteste ndaj ndërrimit të shpeshtë të mësimdhënësve. Sipas tyre, brenda pesë vjetëve nxënësve u janë ndërruar tetë mësimdhënës. Ata thonë se ndërrimi i shpeshtë i mësuesve ka shkaktuar ngarkesë emocionale te fëmijët e tyre
Ka tri javë që kjo klasë në shkollën “Agim Ramadani” në fshatin Nasalë të Gjilanit rri bosh, meqë prindërit e tre nxënësve sa numëron në total kjo klasë kanë vendosur të mos i dërgojnë në shkollë.
Vendimin ata e kanë arsyetuar me ndërrimin e tetë mësimdhënës brenda pesë vjetëve, për nxënësit e klasës së dytë dhe të pestë të cilët zhvillojnë mësimin në klasë të kombinuar. Sipas menaxhmentit të shkollës, mësimdhënësja e fundit është larguar pasi ka qenë vetëm zëvendësim i përkohshëm.
Shkolla, e cila është paralele e ndarë e shkollës në fshatin Zhegër, numëron tetë nxënës dhe një mësimdhënëse, e cila vijon mësimin me nxënës të klasës së katër.
Mësuesja Shefkie Dakolli ka treguar se është munduar t’i bindë prindërit që t’i sjellin fëmijët e tyre në shkollë, derisa të arrihet një zgjidhje.
“Nuk i kanë lejuar prindërit të vijnë, herë më vjen njëri, herë tjetri. Pastaj sot shkova dhe i thirra se më duhet mua të shkojë në fshat t’i marr herë një fëmijë herë një fëmijë... duke i lutur prindërit pasi me humb një fëmijë një orë mësimore është shumë për një fëmijë të klasës së dytë por sidomos edhe te klasa e pestë”, ka theksuar Demolli.
Nëna e nxënëses në klasën e pestë tha prapa kamerës se nuk pranojnë më mësimdhënëse të re. Ajo thotë se ndërrimi i shpeshtë i mësuesve ka shkaktuar ngarkesë emocionale te vajza e saj.
E, kryetari i fshatit Ruzhdi Selimi, ka kërkuar nga Drejtoria e Arsimit që të ofrojë një zgjidhje që procesi mësimor t’i kthehet normalitetit.
“Na si Këshill i fshatit kërkojmë që të krijohen kushtet dhe të vazhdojë mësimi normal. Drejtoria e Arsimit duhet të krijojë kushte për nxënësit që të vijojnë mësimin në mënyrë normale, kështu siç ka filluar viti shkollor nuk ka kurrgjë normale”, ka deklaruar Selimi.
Drejtoresha e Arsimit, Albana Demiri, nuk ka qenë e qasshme gjatë së hënës për t’u deklaruar në lidhje me moszhvillimin e procesit mësimor në këtë shkollë.