Kosovë

Podujeva i shpall disa prona me interes publik, në mënyrë që t’i shmangë nga privatizimi

 

Kuvendarët e Podujevës e kanë miratuar propozimvendimin për t’i shpallur disa prona shoqërore me interes publik, në mënyrë që t’i shmangë nga privatizimi. Ky propozimvendim është miratuar njëzëri nga të gjithë përfaqësuesit e partive politike, në një seancë të jashtëzakonshme, të enjten. Kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, ka thënë se po e bëjnë këtë për ta zënë afatin para se këto prona të dalin në shitje.

“Arsyeja pse është thirrur kjo seancë e jashtëzakonshme është fakti që jemi në një fazë ku disa prej hapësirave që janë duke u menaxhuar nga AKP-ja janë në fazën e shpalljes publike për t’u shitur ose janë në fazë të shitjes. Duke e ditur faktin që si Komunë kemi mungesa relativisht të mëdha të hapësirave publike të cilat menaxhohen nga Komuna e Podujevës dhe duke i pas parasysh edhe nevojat e Komunës për të ardhmen me qëllim të investimit të projekteve të caktuara në këto zona dhe parcela të caktuara të cilat pretendohet që të dalin në shitje, kemi vendosur të zëmë datën 29 kur është afati kohor që planifikohet të bëhet shitja ose hapja e ofertave”, ka theksuar Bulliqi gjatë kësaj seance.