1 perditesime
20:09

Policia e gjen veturën e vjedhur sot në Prishtinë

Policia e Kosovës ka gjetur në kufi me Maqedoninë e Veriut, veturën e vjedhur pasditen e së mërkurës në Prishtinë.

Zëdhënësi i Policisë, Daut Hoxha, në një njoftim për KOHËN ka thënë se vetura është gjetur në një lokacion në Viti, ndërsa ka theksuar se policia po e kërkon personin e dyshuar.

“Ju konfirmoj lidhur me rastin e veturës së raportuar të vjedhur sot pasdite në Prishtinë se; pas angazhimeve të zyrtarëve policorë dhe bashkërendimit te veprimeve hetimore dhe operative në mënyrë profesionale Policia e Kosovës ka arritur që veturën në fjalë ta gjejë dhe lokalizojë në një lokacion në Komunën e Vitisë afër kufirit me Maqedoninë e Veriut, ndërsa veprime tjera policore janë ende në proces për identifikimin dhe gjetjen e personit të dyshuar i cili ka braktisur veturën për t'iu shmangur arrestimit nga Policia”, ka thënë Hoxha.

18:45

Kamerat e sigurisë kapin momentin e vjedhjes së një veture në Prishtinë

Një veturë e tipit Volkswagen Jetta është vjedhur të mërkurën pasdite në lagjen “Kodra e Trimave” në Prishtinë.

Pamjet nga kamera e sigurisë tregojnë se si pronari i veturës ndalet për të hyrë në një lokal. Gjatë kohës sa pronari ishte brenda, një person tjetër shihet teksa ecën afër veturës dhe më pas hyn në të dhe niset.

Ai nxitohet pasi që nga lokali del pronari i veturës, siç shihet në pamjet e siguruara nga KOHA. Gjatë ikjes, vetura godet edhe një autobus në pjesën e pasme.

Pronari i veturës ka konfirmuar për KOHËN se rastin e ka paraqitur në Polici.

Policia, në anën tjetër, ka konfirmuar rastin teksa ka thënë se njësitet kompetente kanë dalë në lokacion e janë duke kryer hetimet lidhur me rastin.