15:44

I dyshuari për vrasjen e nënës ishte pacient në Qendrën e Shëndetit Mendor në Ferizaj

62-vjeçari nga Ferizaj që dyshohet se e ka vrarë nënën e tij 83-vjeçare sot, ka qenë pacient në Qendrën e Shëndetit Mendor në këtë qytet. Këtë e ka konfirmuar zyrtarja për media në Prokurorinë e Ferizajt, Vjosa Baftiu, raporton KosovaPress.

Dyshohet se vrasja është kryer me një mjet të mprehtë. 62-vjeçari B.Ç. është arrestuar.

“Motivet lidhur me rastin nuk dihen, mirëpo dyshohet se i njëjti ka pasur çrregullime mendore. I dyshuari ka qenë pacient i Qendrës së Shëndetit Mendor në Ferizaj. Prokurori e ka ndaluar të dyshuarin për 48 orë, ndërsa sot pritet të bëhet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit”, ka thënë Baftiu.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës në Ferizaj, Agim Gashi, ka thënë se 62-vjeçari është emër i njohur për policinë, pasi ka edhe lënë të kaluara.

“Policia është përgjigje menjëherë në vendin e ngjarjes së bashku me njësinë e emergjencës nga spitali i Ferizajt, ku gjatë hetimeve preliminare është konstatuar se bëhet fjalë për vrasje. Policia i ka ndërmarrë të gjitha veprimet lidhur me këtë rast dhe pas një kohe të shkurtë ka arrestuar një person të dyshuar i cili dyshohet për këtë vepër. Bëhet fjalë për të dyshuar me iniciale B.Ç., 62-vjeçar ndërsa viktima është nëna e tij M.Ç., 83-vjeçare”, tha ai. “Gjatë hulumtimit në dosjet e tij janë gjetur edhe disa raste të cilat kanë qenë personi i dyshuar në fjalë, për sjellje arrogante dhe veprimet te tjera”.

Shtëpia ku ka ndodhur ngjarja e rëndë dhe ku ka jetuar 83-vjeçarja me djalin sot ishte e mbyllur dhe banorët përreth i thanë KosovaPress-it se nuk ka anëtarë të tjerë të familjes që jetojnë aty.

12:14

Prokuroria dyshon se djali vrau nënën 83-vjeçare në Ferizaj

Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, ka bërë të ditur sot se doras i 83-vjeçares në Ferizaj, dyshohet se është i biri i saj, 62-vjeçar.

Policia më herët njoftoi për një varsje të rëndë.

I dyshuari, me vendim të prokurorit, është ndaluar për 48 orë.

“Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, ju njofton se sot, në Ferizaj, një person dyshohet se ka privuar nga jeta nënën e tij. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 08:00, në mëngjes, ku i dyshuari B. Ç., rreth 62 vjeç, dyshohet se në shtëpinë e tij në rrugën “Ejup Statovci", në Ferizaj, ka privuar nga jeta nënën e tij, tani të ndjerën M. Ç, rreth moshës 83 vjecare. Në këtë mënyrë dyshohet se i njëjti ka kryer veprën penale ‘’Vrasja e rëndë’’, nga neni 173 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)", thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

11:39

Vrasje e rëndë në Ferizaj, viktimë një 83-vjeçare

Një vrasje e rëndë ka ndodhur në mëngjesin e sotëm në Ferizaj, ka njoftuar Policia e rajonit Ferizajt.

Një 83-vjeçare është vrarë, ndërsa është arrestuar një i dyshuar dhe po intervistohet.

“Rreth orës 08:20, policia ka marrë informatën për një rast vrasje e rëndë në Ferizaj . Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore si dhe ekipi mjekësor, ku pas ekzaminimit nga ana e mjekut është konfirmuar se viktima e rastit kishte ndërruar jetë. Viktima M.Ç. (Shtetase e Kosovës e moshës 83 vjeçare). Pas hetimeve fillestare, hetuesit policor kanë arrestuar një person të dyshuar lidhur me këtë rast ku i njëjti është duke u intervistuar. Për detaje tjera do të informoheni më vonë”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë Rajonale Ferizaj.

Sipas KosovaPressit dyshohet se dorasi është djali i viktimës, i cili ka probleme mendore.