13:54

Komuna e Prishtinës distancohet nga inspektori i arrestuar për kërkim ryshfeti

Komuna e Prishtinës ka thënë se është në pritje të informimit zyrtar për rastin arrestimin e njërit nga inspektorët e ndërtimit në këtë komunë, që dyshohet të ketë kërkuar ryshfet për t’ia lejuar vazhdimin e punimeve një kompanie.

Sipas një njoftimi nga Komuna e Prishtinës, për arrestimin e këtij zyrtari është njoftuar në mbrëmjen e së martës.

Komuna ka thënë se distancohet nga çdo veprim i paligjshëm i cilitdo punëtor.

“Më 29 shtator, në orët e mbrëmjes, jemi njoftuar se njëri nga punëtorët e Komunës është arrestuar nga Policia e Kosovës, dhe është në mbajtje për 48 orë. Nga mediat morëm vesh që i njëjti dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe mitmarrje. Komuna e Prishtinës është në pritje të informimit zyrtar, dhe menjëherë do të ndërmerr veprimet e nevojshme në përputhje me Ligjin dhe procedurat. Distancohemi nga çdo veprim i paligjshëm i cilitdo punëtor, dhe jemi të gatshëm për bashkëpunim të vazhdueshëm me organet e rendit, për çfarëdo rasti!”, thuhet në njoftimin e Komunës së Prishtinës.

09:33

Raportoi se një zyrtar i Komunës së Prishtinës i kërkoi ryshfet për t’ia lejuar punimet, ky i fundit dërgohet në mbajtje

Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), Njësiti Rajonal për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit – Prishtinë (NJRHKEK), mbrëmë më 29 shtator, ka pranuar palën ankuese i cili ka deklaruar se është pronar i një firme ndërtimi që merret me ndërtime të larta.

“Ankuesi tregon se është duke e ndërtuar një objekt në një lagje të Prishtinës dhe se edhe përkundër faktit që posedon leje ndërtimi iu kanë ndaluar punimet nga një inspektor i ndërtimit i Komunës së Prishtinës dhe sipas tij, ky i fundit është duke i kërkuar ryshfet për t’ia lejuar vazhdimin e punimeve”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

NJHRKEK – Prishtinë pas pranimit të informatës, thotë se ndërmori të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të verifikimit të informacionit që jep ankuesi, sigurohet simulimi i veprës penale (sigurimi i parave, fotografimi i parave që do përdoren për simulim).

“Dje, më 29.09.2020, në orën 17:00, në një restorant në Prishtinë realizohet arrestimi në flagrancë i një të dyshuari i cili kishte pranuar një shumë parash nga ana e ankuesit. Paratë e marra i gjinden në çantë personit të dyshuar. Më këto veprime i dyshuari dyshohet se ka kryer veprat penale: ’keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’ dhe ‘marrja e ryshfetit’. I dyshuari është intervistuar në prezencën e avokatit mbrojtës dhe pas konsultimit me prokurorin kujdestar të PTH-Prishtinë, i njëjti me akt-vendim për ndalim të dyshuarit është dërguar në mbajtje për 48 orë”, thuhet në njoftim.