19:38

Aksioni “Karaçeva” përfshin mishtore në Pejë, Prizren e Gjilan

Aksionin e 18 shtatorit në fshatin Karaçevë të Kamenicës, Policia e Kosovës e ka vazhduar këtë të enjte.

Kësaj radhe janë bastisur fabrikat e mishit e mishtore të ndryshme në Pejë, Prizren e Gjilan, në të cilat dyshohet se janë pranuar kafshë të kontrabanduara përmes pikës kufitare në afërsi të Karaçevës.

Një ndër objektet e bastisura është ajo e fabrikës së mishit në fshatin Cigë të Pejës. Pranë saj janë parë njësite të ndryshme policore e oficerë të doganës, të asistuar edhe nga inspektorë të Administratës Tatimore dhe të Agjencisë së Veterinarisë.

Por gjatë xhirimit të aksionit të zyrtarëve policorë, një nga kasapët e fabrikës së bastisur ka kërcënuar gazetarin e KOHËS, gjë që ka nxitur edhe reagimin e Policisë së Kosovës.

Nga aksioni i së enjtes Policia ka arrestuar 22 persona, duke e çuar numrin e të arrestuarve për rastin “Karaçeva” në 59.

Sipas kryeprokurorit të Gjilanit, Jetish Maloku, ndaj të arrestuarve është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

Nga aksioni Policia e Kosovës ka sekuestruar një numër të konsiderueshëm të gjësendeve, duke përfshirë edhe gjedhe e armë.

Nga aksioni i Policisë së Kosovës, të premten e 18 shtatorit u bastisën e më pas u rrënuan dhjetëra objekte të kazinove në fshatin Karaçevë të Kamenicës. Nga ky aksion u arrestuan 35 persona, prej të cilëve 12 policë. Rreth një javë më vonë, në pranga u vunë edhe dy persona të tjerë. Përveç për veprimtari të paligjshme të bixhozit, ata dyshohet se bënë kontrabandë me mallra nga Serbia.

17:23

Rasti “Karaçeva”, shkon në 59 numri i të arrestuarve

Ka shkuar në 59 numri i të arrestuarve që lidhen me rastin “Karaçeva”. Në 24 orët e fundit janë arrestuar edhe 22 persona gjatë aksionit për përfshirje në kontrabandim të mallrave dhe bixhoz të paligjshëm, ka bërë të ditur kryeprokurori i Gjilanit, Jetish Maloku.

Ai tha se janë kryer urdhër kontrolle në shtatë qytete të Kosovës.

“Është zhvilluar një operacion në tërë territorin e Kosovës, konkretisht Ferizajit, Prizrenit, Gjilanit, Pejës, Suharekës, Podujevës dhe Vitisë. Ky ka qenë vazhdimësi i operacionit në Karaçevë dhe rajoneve tjera. Janë ndaluar 22 persona për 48 orë, që dyshohen për aktivitete kriminale. Ndaj tyre brenda afatit ligjor do kërkohen masat për sigurimin e pandehurve nga Gjykata në Gjilan. Gjithsej numri i personale të ndaluar që nga fillimi aksionit janë 59 të dyshuar", tha ai.

Majori Zejnullah Serdulli nga Policia e Kosovës tha se “është ushtruar urdhërkontroll në 11 lokacione që lidhen me subjekte ekonomike dhe 17 lokacione që lidhen me persona fizikë”, duke shtuar se janë siguruar edhe dëshmi nga to.

“Janë sekuestruar sasi e konsiderueshme e gjedheve, armëve, sendeve, artikujve të dëmshme ushqimore dhe mjete që janë përdorur për kryerje të veprimeve ilegale”, tha ai.

Më 18 shtator në Karaçevë të Kamenicës ishin arrestuar dhjetëra persona për bixhoz të paligjshëm e kontrabandim me mallra. Në arsyetimin që Prokuroria kishte bërë në kërkesën për paraburgimin e tyre, ishte thënë se ndër tjerash këta persona, në mesin e të cilëve pati edhe policë, dyshoheshin edhe për kontrabandim me gjedhe të sëmura që kishin hyrë nga Serbia.

10:21

Po vazhdon aksioni i Karaçevës

Prokuroria Themelore në Gjilan, ka njoftuar se në orët e para të mëngjesit të së enjtes, zyrtarët e agjencive të zbatimit të ligjit nga Policia e Kosovës, Inspektorati Policor i Kosovës dhe agjencitë e tjera bashkëpunuese, janë duke ekzekutuar urdhërkontrolle në rajone të ndryshme të Kosovës.

Ky aksion është vazhdimësi e operacionit të zhvilluar më 18 Shtator 2020, në zonën e Karaçevës dhe rajone tjera të Kosovës, për shkak të dyshimit të përfshirjes në veprimtari kriminale.

“Prokuroria Themelore në Gjilan, në koordinim dhe bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Inspektoratin Policor të Kosovës, do të ju mbajë të informuar lidhur me këtë operacion të përbashkët”, thuhet në njoftim.