Kronikë e zezë

Nga Kosova në Shqipëri, me pistoletë në veturë

Nga Kosova në Shqipëri, me pistoletë në veturë
 

Tre shtetas, njëri prej tyre nga Kosova, janë arrestuar në pikën kufitare të Morinës për “trafikim të armëve dhe municionit”, kryer në bashkëpunim. Policia e Kukësit bën me dije se shërbimet e Policisë Kufitare në Morinë, në zbatim të masave për parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare, kanë intensifikuar kontrollet si në dalje ashtu dhe në hyrje.

“Në përfundim të veprimeve hetimore specialistët për Hetimin e Trafikut të Paligjshëm dhe Narkotikëve në DVP Kukës bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve: F.G., 34 vjeç, banues në Kosovë, D.F., 36 vjeçe dhe M.Q., 40 vjeçe, banuese në Tiranë, për veprën penale ‘Trafikimi i armëve dhe i municionit’, kryer në bashkëpunim. Si rezultat i kontrolleve në mjetin tip ‘Volkswagen’, me drejtues shtetasin F.G. dhe pasagjere shtetaset D.F. dhe M.Q., policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri pistoletë dhe fishekë luftarakë. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë në Kukës për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë Vendore të Policisë në Kukës.