1 perditesime
16:17

Arrestohen 12 të dyshuar për kontrabandim me migrantë e falsifikim dokumentesh në dy aksione të ndryshme

Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale ka arrestuar 12 persona nga dy aksione që ka zhvilluar nën dyshimin për kryerjen e veprave penale kontrabandim me migrantë, falsifikim të dokumenteve dhe falsifikim të posaçëm të dokumenteve.

Përmes një konference për media, Policia dhe Prokuroria bënë të ditur se aksioni i parë është realizuar në fund të muajit tetor të vitit të kaluar ku janë arrestuar 3 persona ndërkaq aksioni i dytë është realizuar sot ku janë arrestuar 9 persona.

Policia gjatë kontrolleve të kryera në lokacione të ndryshme të Prishtinës ka gjetur laboratorë që janë shfrytëzuar për falsifikim dhe krijim të dokumenteve.

Të gjithë të arrestuarit janë shtetas të Republikës së Kosovës, ndërkohë që aksionet janë kryer në bashkëpunim me Europolin, Shqipërinë dhe shtete të tjera të Bashkimit Evropian.

Florije Hajra, drejtoreshë e Divizionit kundër krimit të organizuar në Policinë e Kosovës tha se në aksionin e vitit të kaluar janë kontrolluar 5 lokacione ndërkaq gjatë aksionit të ditës së sotme janë kontrolluar 11 lokacione.

“Vitin e kaluar më 29 tetor janë kontrolluar 5 lokacione të ndryshme në Prishtinë dhe janë arrestuar 3 të dyshimtë ndërkaq sot janë kontrolluar 11 lokacione dhe janë ndaluar 9 persona të dyshimtë. Janë gjetur laboratorë të pajisur me aparatura dhe materiale që janë shfrytëzuar për prodhimin dokumenteve të ndryshme të falsifikuara si pasaporta, kartela identifikimi e kartela të vozitjes. Në të dy këto operacione janë arrestuar gjithsej 12 persona të arrestuar. Në të dy këto raste hetimet janë kryer në bashkëpunim me Europolin, Shqipërinë dhe disa vende të tjera të BE-së”, ka thënë Hajra.

Ndërkaq, prokurorja e Prokurorisë Speciale Hebibe Salihu ka thënë se aksioni i parë nuk është bërë publik për shkak se është vlerësuar se mund të dëmtohet procesi.

“Duke bashkëvepruar me Policinë ka realizyuar një aksion vazhdimësi e aksionit në muajin tetor që ka rezultuar me tre të arrestuar për krim të organizuar, falsifikim të dokumenteve dhe kontrabandim me migrantë. Aksioni në muajin tetor nuk është bërë publik pasi kemi vlerësuar se mund të dëmtohet procesi”, është shprehur Salihu.

15:18

Policia arreston disa të dyshuar për krim të organizuar, mban konferencë të jashtëzakonshme

Policia e Kosovës ka njoftuar se përmes një operacioni ka arrestuar disa persona nën dyshimin e bazuar për përfshirje në krim të organizuar.

Për këtë është paralajmëruar konferencë të jashtëzakonshme nga ora 15:30.

“Përmes kësaj shkrese zyrtare ju ftojmë të merrni pjesë në konferencën e jashtëzakonshme të organizuar nga Policia e Kosovës, e cila ka të bëjë me realizimin e një operacioni të suksesshëm policor. Operacioni policor i realizuar në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë Speciale të Kosovës, ka rezultuar me arrestimin e disa personave nën dyshimin e bazuar për përfshirje në krim të organizuar. Në këtë konferencë do të marrin pjesë përfaqësues nga Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës, ku do të shpalosin detaje lidhur me operacionin policor”, thuhet në njoftim.