2 perditesime
15:15

OMK: Sulmet ndaj mjekëve, veprime kriminale të cilat duhet të dënohen rëndë

Oda e Mjekëve të Kosovës ka shprehur shqetësimin dhe indinjatën për sulmin ndaj kolegëve, mjekut G.H dhe infermieres T.N të cilët u sulmuan të shtunën në hapësirat e vendit të punës duke ofruar shërbime shëndetësore, përkatësisht në Klinikën e Pulmologjisë.

“Sulmet e tilla sidomos me mjekët që përballen direkt me virusin janë veprime kriminale për të cilat duhet të shqiptohen sanksionet më të rënda të mundshme të parapara me ligjin penal. Sulmi ndaj mjekëve është bërë pjesë e protokollit të sjelljes së shërbimmarrësve nëpër institucione shëndetësore, ndërkaq mjeku është bërë viktima e përhershme e këtyre sulmeve serike të cilat si duket nuk kanë të ndalur. Fatkeqësisht mund të konstatojmë se është hera e tretë mbas linqimeve publike të mjekëve ndodhin edhe këto sulme”, thuhet në reagimin e OMK-së.

Sipas kësaj Ode, vetëm gjatë këtij viti janë shënuar dhjetëra raste të sulmeve fizike dhe verbale ndaj mjekëve, të cilët siç thuhet, në vendin e punës pa asnjë mbrojtje dhe asnjë kujdes të veçuar, janë duke iu ekspozuar veprimeve vandale dhe të dhunshme.

“Shqetësues mbetet fakti që institucionet përgjegjëse, sidomos ato menaxheriale dhe ato të ndjekjes penale, me pasivitetin e tyre janë duke amnistuar këtë fenomen që tanimë janë bërë fenomen ditor. Tani e disa herë, Oda e Mjekëve të Kosovës ka përsëritur kërkesën që sulmet e tilla ndaj mjekëve që ndërlidhen me veprimtarinë profesionale të tyre, të trajtohen në kuptim të sanksionimit penal në kuadër të sulmit ndaj personit zyrtar dhe që këto raste duhet të trajtohen me prioritet”, thuhet më tutje në reagim.

OMK-ja kërkon nga institucionet shëndetësore, autoritetet kompetente të nivelit qendror dhe atij lokal, që të trajtojnë me seriozitetin më të madh sigurinë në vendin e punës.

11:58

ShSKUK-ja dënon sulmin fizik ndaj stafit të Klinikës së Pulmologjisë

Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës, është njoftuar nga Klinika e Pulmologjisë, se të shtunën, derisa po ofronin kujdesin shëndetësorë për pacientët, rreth orës 16:00, në vendin e tyre të punës, nga ana e një familjari, janë sulmuar fizikisht, mjeku, G.H dhe infermierja, T.N.

ShSKUK-ja dënon ashpër sulmin ndaj stafi shëndetësorë, i cili ishte duke trajtuar rastet me Covid-19, në Klinikën e Pulmologjisë, duke kërkuar nga organet kompetente që sulmuesit të marrin dënimin e merituar.

08:45

Sulmohen dy punonjës shëndetësorë në QKUK

Raportohet se një i dyshuar mashkull kosovar në njërën klinikë, si pasojë e një rasti që kishte pasur, i kishte penguar dhe sulmuar një femër dhe një mashkull kosovar staf mjekësor.

Viktimat nuk kanë marre tretman mjekësor.

Pas intervistimit në konsultim me prokurorin rasti shkon në procedurë të rregullt.