Kronikë e zezë

Aktakuzë ndaj 9 doganierëve për keqpërdorim të pozitës zyrtare në Prizren

FOTO: KOHA
 

Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve B.M., D.H., I.B., H.D., D.Z., J.B., M.V., A.O. dhe D.K., nën dyshimin e bazuar mirë se të njëjtit kanë kryer veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “marrja e ryshfetit”. Kundër të pandehurve V.S., V.S., M.A. dhe L.R., nën dyshimin e bazuar mirë se të njëjtit kanë kryer veprat penale “kontrabandimi i mallrave”, “shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore” dhe “tregtia e ndaluar.

Sipas aktakuzës, të pandehurit B.M., D.H., I.B., H.D., D.Z., J.B., M.V., A.O. dhe D.K., në periudhën kohore 07 mars 2018 - 21 maj 2019, në pikë-kalimin kufitar në Vërmicë - Komuna e Prizrenit, në bashkëkryerje, në cilësinë e personave zyrtar - si zyrtar doganor, gjashtëdhjetekatër (64) herë ua sigurojnë të pandehurve V.S., V.S., M.A. dhe L.R., kalim të automjeteve të ngarkuar me duhan të grirë-refuz - në sasi të përgjithshme prej tetëdhjetë mijë (80.000) kilogram, Filtër për cigare “Grande” - një milion e treqind mijë (1.300.000) copë, Filtër për cigare “Gentleman” - katërqind mijë (400.000) copë, letër duhani, filtra për cigare, cigare pa banderolë të markës “Marlboro’’ dhe ”West’’, të gjitha nga Republika e Shqipërisë në Republikën e Kosovës, duke i shkaktuar dëm material buxhetit të Republikës së Kosovës në vlerën e taksës së akcizës, taksës së doganës dhe TVSH-së së papaguar - rreth tre (3) milion euro.