1 perditesime
22:03

Bletari shqiptar i dyshuari kryesor për zjarrin në Greqi

Një bletar 63-vjeçar shqiptar po shihet si i dyshuari kryesor për zjarrin që ka nisur të martën në rajonin e Stamatasit në Greqi.

Gazeta greke “Kathimerini”, ka bërë të ditur se është hapur rast ndaj tij për ndezje zjarri nga pakujdesia.

Ai ka mohuar fajin. Bletari shqiptar pritet të dërgohet te zyra e prokurorit të mërkurën.

Më herët ishte thënë se bletari shqiptar është i dyshuari numër një, pasi mendohet se zjarri ka nisur nga kosheret e bletëve të tij.

Policia greke kishte arrestuar edhe katër bletarë tjerë, por i liroi ata pasi ishte konstatuar se nuk kanë të bëjnë asgjë me zjarrin.

Zjarret kanë shpërthyer në rajonin e Stamatas, ndërsa janë dëmtuar rëndë dhjetëra shtëpi dhe janë djegur disa vetura.

Aeroplanë të fikjes së zjarrit dhe 12 helikopterë janë përdorur në betejën ndaj flakëve, bashkë me më shumë se 300 zjarrfikës që kanë vepruar në terren. Banorët e rajonit janë njoftuar nëpërmjet mesazheve telefonike për t’i mbajtur dyert dhe dritaret e shtëpive mbyllur, si pasojë e tymit dhe flakëve.

21:34

Arrestohen katër persona për zjarrin në Athinë, njëri shqiptar

Katër persona, në mesin e tyre një shqiptar, u ndaluan të martën pas shpërthimit të një zjarri në Athinë. Siç ka njoftuar policia greke, tre prej tyre u liruan “pasi nuk kishin asnjë lidhje me zjarrin”, derisa njëri është në mbajtje.

I arrestuari është bletërritës dhe sipas policisë, ai kishte vënë tymuese për të bërë punime tek kosheret e bletëve dhe në rrethana ende të pa ditura, ka ndodhur përhapja e zjarrit.

Autori i dyshuar ka mohuar çdo implikim në ngjarje./lapsi.al/