1 perditesime
21:40

Ahmeti: Nuk ka pasur ballafaqim fizik e as luftë me thika, Afrimin e kam mik

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka reaguar ndaj raportimeve se është kërcënuar me thikë të hënën nga trajneri i futbollit Afrim Tovërlani.

Policia ka arrestuar Tovërlanin të hënën, ndërsa sipas burimeve brenda Policisë është thënë se ai ka kërcënuar Ahmetin me thikë.

"Faleminderit të gjithëve për pyetjet e kujdesin. I pash edhe titujt ne portale. Nuk ka pas kurrfarë ballafaqimi fizik e as luftë më thika. Afrimin e njoh moti dhe e kam mik. Ka qenë mbrëmë të shtëpia kur nuk kam qenë unë dhe e ka thirrë vetë policinë e cila me të arritur e ka arrestuar. Nuk ndihem as i kërcënuar e as i rrezikuar nga Afrimi edhe pse vizitat e vona në shtëpi kur nuk jam prezent dhe me fëmijë të mitur prezent nuk janë të mirëseardhura. Mirëpo, nuk ka pas as fjalosje e as ndonjë fjalë të rëndë me fëmijët dhe familjen. Shpresoj që këtë incident Afrimi ta sqarojë e kalojë sa më lehtë me organet e rendit. Duke e pas mik qe një kohë të gjatë nuk besoj që ka pas qëllim të sulmit apo kërcënimit”, ka shkruar Ahmeti në Facebook.

18:14

Policia konfirmon kërcënimin me thikë ndaj kryetarit të Prishtinës

Policia e Kosovës ka konfirmuar kërcënimin me thikë ndaj kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Ahmeti dje ishte kërcënuar me thikë.

Rasti ka ndodhur në lagjen Nic.

“Graçanicë, 25.10.2021-17:50. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar i cili ka qenë nën ndikim të alkoolit dhe gjatë kontrollit tek i dyshuari është gjetur dhe konfiskuar një armë e ftohtë-thikë. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e Policisë.

Burime nga Policia kanë njoftuar se trajneri i futbollit Afrim Tovërlani nën ndikim të alkoolit ka kërcënuar me thikë kryetarin e Prishtinës. Tovërlani është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje.