Kronikë e zezë

Mbi 1000 policë në operacionin kundër trafikut të drogës, të arrestuar edhe disa shqiptarë

 

Mediat belge shkruajnë se në operacionin e madh që nuk shihej prej kohësh janë kryer kontrolle në mbi 100 shtëpi në tri rajone të ndryshme të Belgjikës. Janë sekuestruar dhjetëra e qindra pasuri, makina luksoze dhe para, të cilat dyshohet se janë rezultat i trafikut të kokainës. Policia ka arrestuar 64 persona, ku shumica ishin shqiptarë e që dyshohet se janë të lidhur me mafinë kalabreze “Ndragheta” dhe trafikojnë drogën nga vendet e Amerikës Latine

Mbi 1100 policë janë përfshirë në një operacion në Bruksel kundër “Ndraghetas” dhe mafisë shqiptare, duke kryer kontrolle në mbi 100 shtëpi dhe duke sekuestruar dhjetëra e qindra pasuri, makina luksoze dhe para, të cilat dyshohet se janë rezultat i trafikut të kokainës. Policia ka zhvilluar kontrolle në rajonin e Brukselit dhe dy qyteteve të tjera ku kanë arrestuar 64 persona, ku shumica ishin shqiptarë, ndërkohë që kanë sekuestruar 1 milion euro para kesh, 57 automjete dhe mallra të shtrenjta dhe luksoze të markave më të njohura botërore. Banda kishte gjithashtu të gjitha llojet e pajisjeve, si dronë, gjurmues GPS, bllokues dhe motorë shtytës për zhytësit.

Mediat belge shkruajnë se bëhet fjalë për një operacion të një madhësie që nuk shihej prej kohësh. Kjo pasi Belgjika është një nga portat hyrëse të kokainës në Evropë dhe se vendi konsiderohet me një risk të lartë të përfshirjes së mafisë. Sipas të përditshmes “De Standaard”, një nga drejtuesit e bandës është algjeriani Abdewahab G., i cili në vitin 2006 kontrabandoi katër tonë kokainë në Belgjikë. Ai u shpall i pafajshëm në vitin 2008 për një gabim procedural.