1 perditesime
Kronikë e zezë

19-vjeçari në Mitrovicë grabiti 15,750 euro nën kërcënim me armë të plastikës

19-vjeçari në Mitrovicë grabiti 15,750 euro nën kërcënim me armë të plastikës
Paratë e sekuestruara nnë këtë rast/Foto: Policia e Kosovës
20:48

19-vjeçari në Mitrovicë grabiti 15,750 euro nën kërcënim me armë të plastikës

Policia e Kosovës ka dhënë detaje për rastin e grabitjes me armë lodër mbrëmjen e së premtes në një institucion mikrofinanciar në Mitrovicë.

Sipas Policisë rreth orës 17:42, Stacioni Policor Jugu në Mitrovicë ka pranuar një informatë për një rast të grabitjes, në një nga institucionet për tranfsere parash në Mitrovicë, si dhe informatën se i dyshuari kishte ikur në këmbë në drejtim të hekurudhës.

“Duke marrë parasysh se këto ditë është duke u realizuar plani operativ për parandalimin e veprave penale të grabitjeve dhe prezencës së shtuar të njësiteve policore, zyrtarët policorë shumë shpejtë kanë arritur ta identifikojnë lokacionin e të dyshuarit dhe janë vënë në ndjekje të tij ku rreth orës 17:50, kanë arritur të ndalojnë të dyshuarin së bashku me hetues të Njësisë së Hetimeve të Trafikimit me Qenie Njerëzore, në Rrugën ,,Bislim Bajgora” në Mitrovicë”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Sipas njoftimit, i dyshuari G.O., 19- vjeçar, shtetas i Republikës së Kosovës është arrestuar dhe pas kontrollit të sigurisë, tek ai është gjetur një qese najloni në të cilin gjendeshin një sasi e parave prej 15,750 euro të cilat dyshohet se janë grabitur ne institucionin e transfereve te parave, një armë e zezë e cila dyshohet të jetë e plastikës (armë lodër), një maskë për mbulimin e fytyrës si dhe një palë dorëza.

Në lidhje me këtë rast është kontaktuar prokurori kujdestar dhe ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti për veprën penale ,,Grabitje” dhe atij i është caktuar masa e ndalimit policor, ndërsa të gjitha gjësendet janë konfiskuar në cilësi të provave materiale

19:31

Nën kërcënimin e një arme lodër, grabitet institucioni mikrofinanciar në Mitrovicë

Një institucion mikrofinanciar në Mitrovicë është grabitur të premten mbrëma, nën kërcënimin e një arme lodër.

Lajmin për KOHËN e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Fexhrije Pllana, e cila ka thënë se policia ka arritur ta identifikojë të dyshuarin të cilit i është gjetur një shumë e të hollave dhe një armë lodër.

“Në rrugën “Shemsi Ahmeti” është raportuar për një rast grabitje, policia ka arritur ta identifikojë dhe ta arrestoj personin e dyshuar, ku te ai është gjetur një shumë e të hollave dhe një armë lodër”, ka thënë Pllana.

Ndërkohë, shuma e të hollave që i dyshuari ka grabitur nuk është bërë e ditur nga Policia.