1 perditesime
18:08

Një i vdekur e katër të plagosur nga përplasja e armatosur në Tiranë

Një 35-vjeçar ka humbur jetën dhe katër të tjerë kanë mbetur të plagosur, pas përplasjes me armë zjarri këtë pasdite në Tiranë.

Përplasja e armatosur raportohet të ketë ndodhur rreth orës 16:10, në zonën e “Don Boskos”, konkretisht në ambientet e një lokali në kompleksin “Fiori di Bosco”.

Dyshohet se autori ka qëlluar jashtë lokalit drejt një tavoline ku po konsumonin kafenë pesë të rinj. Një prej tyre, E. Ç., ka mbetur i vdekur në vend.

Të plagosurit janë 19-vjeçari A. S. , i dëmtuar në shpatull, vëllai i viktimës, 28-vjeçari B. Ç., i plagosur në këmbë dhe fytyrë, 41-vjeçari E. C. dhe 46-vjeçari A. D.

Në vendngjarje ka mbërritur policia dhe grupi hetimor, që kanë rrethuar skenën e krimit. Zona, ku ka ndodhur ngjarja e rëndë është ndër më të populluar në kryeqytet. Pritet që dëshmitarët dhe kamerat e sigurisë të lokalit të ndihmojnë për identifikimin e autorit/ autorëve.

Ndërkohë, janë ngritur pika kontrolli në të gjitha pikat hyrëse-dalëse të Tiranës dhe në brendësi të lagjeve ku dyshohet se janë larguar personat, të cilët pasi kanë qëlluar me armë zjarri, janë larguar me një automjet tip “Mercedes-Benz”./TCH

17:09

Të shtëna me armë zjarri në Tiranë, dyshohet për viktima

Tre persona dyshohet se kanë mbetur të plagosur me armë zjarri këtë pasdite në Tiranë.

Përplasja e armatosur raportohet të ketë ndodhur në zonën e “Don Boskos”, konkretisht në ambientet e një lokali në kompleksin “Fiori di Bosco”.

Dyshohet për një viktimë, ndërkohë që pritet informacion zyrtar nga policia.

Që me nisjen e Vitit të Ri, nuk kanë munguar përplasjet e armatosura dhe sulmet e organizuara në vend.

Më 3 janar, 34-vjeçari Vinces Nikoll Piroli mbeti i plagosur në Shkodër, pasi u qëllua me armë zjarri.

Ai u dërgua në spitalin Rajonal Lezhë dhe më pas drejt Tiranës për ndërhyrje më të specializuar, pasi ka marrë 3 plumba. Piroli, ndaj të cilit ishte lëshuar një urdhër-arresti ndërkombëtar, pasi akuzohej se bashkë me Dorian Lalën kishin vrarë për hakmarrje malazezin, Momçillo Gjurishiq, po ecte në këmbë tek Ura e Bunës, kur u plagos me armë zjarri nga persona ende të paidentifikuar.

Një tjetër incident, fatmirësisht pa të lënduar u shënua dhe në Vlorë. Në lagjen Hajro Çakërri një automjet i cili i përkiste Bernard Sinomataj, shpërtheu në vendin ku ishte parkuar, pasi iu vendos një sasi lënde shpërthyese. Automjeti ka shumë kohë i parkuar pasi pronari i mjetit prej kohësh ndodhet jashtë shtetit./TCH