2 perditesime
17:38

Dy të arrestuar për vrasjen në Pejë

Dy persona janë arrestuar pasi të njëjtit dyshohet se janë përfshirë në vrasjen e një personi gjatë pasdites të së enjtes në Pejë.

Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, i ka thënë KOHËS se njëri nga të arrestuarit dyshohet për veprën penale “Vrasja”, ndërsa tjetri për veprën penale “lëndim trupor”.

Nikçi më tej njoftoi se njëri nga të arrestuarit është duke u trajtuar në spital për shkak të lëndimeve trupore që ka marrë në këtë përleshje, por me të dalë nga spitali, do të dërgohet në mbajtje për 48 orë.

“Si pasojë e një përleshje në Pejë, një person ka humbur jetën nga lëndimet e marra, dy persona janë arrestuar, njëri i dyshuar për veprën penale 'vrasja', e tjetri për veprën penale 'lëndim trupor'. Njëri nga të arrestuarit, për shkak të lëndimeve të marra e që po trajtohet në Spital, pritet që të ndalohet për 48 orë pas trajtimit”, ka thënë Nikçi.

17:17

Vdes njëri nga të plagosurit në Pejë

Njëri nga personat e lënduar pas një përleshjeje me thikë në Pejë, ka vdekur gjatë pasdites të së enjtes.

Zëdhënësi i Spitalit Rajonal të Pejës, Naim Sahiti, i ka thënë KOHËS se viktima nuk ka arritur t’i bëjë ballë më gjatë lëndimeve të marra në zonën e barkut, ndërsa i lënduari tjetër është jashtë rrezikut për jetë.

“Dy persona janë pranuar në Spital rreth orës 14:45. Me gjithë përpjekjet e Mjekëve, nga lëndimet e marra njëri nga pacientët e pranuar ka vdekur, ndërsa tjetri ka lëndime por jo ne rrezik për jetën dhe po trajtohet në Spitalin tonë”, ka thënë Sahiti.

Kjo përleshje, sipas policisë, kishte ndodhur rreth orës 14:45, ku njëri prej tyre kishte pësuar lëndime më të rënda trupore.

16:24

Theren me thikë dy persona në Pejë

Dy persona janë përleshur me thika në Pejë, me ç’rast të dy kanë marrë lëndime trupore, njëri më të rënda. Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Pejës, Fadil Gashi, i tha KOHËS se rasti ka ndodhur të enjten në ora 14:45.

Personat e përfshirë po marrin trajtim në spital.

“Rreth orës 14:45 policia ka pranuar informatën për një përleshje në mes të dy personave. Gjatë përleshjes janë përdorur edhe mjetet të mprehta dyshohet që thikë. Si pasojë dy personat e përfshirë në këtë përleshje kanë pësuar lëndime dhe janë duke u trajtuar në spital, dhe njëri prej tyre ka lëndime më të rënda”, thuhet në njoftimin e plotë.