Dy persona janë arrestuar të mërkurën nga Policia e Kosovës nën dyshimin se të njëjtit kanë tentuar të kryejnë një grabitje në një market në Fushë-Kosovë.
Njërit nga dy të dyshuarve, të cilët ishin një 18-vjeçar dhe një 20-vjeçar, i është gjetur dhe sekuestruar një revole e tipit TT.
Në njoftimin e Policisë, është thënë se ata kanë tentuar të kryejnë grabitjen nën kërcënimin e armës që është sekuestruar.
“Sot, rreth orës 11:00, është raportuar për një tentim grabitje në një market në rrugën ‘Tahir Zemaj’, në Fushë Kosovë, ku dy persona të dyshuar kanë tentuar të kryejnë një grabitje nën kërcënimin e armës”, ka thënë Policia.
Tutje bëhet e ditur se të dyshuarit, me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje, ndërsa hetuesit policorë po kryejnë veprimet e nevojshme para se rasti të procedohet më tej.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.