2 perditesime
17:53

Sveçla: U shkatërrua një rrjet i kontrabanduesve të drogës

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se të mërkurën është shkatërruar një rrjet i kontrabanduesve të drogës që kanë bashkëvepruar mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Sveçla ka përgëzuar Policinë e Kosovës për luftimin e veprimtarive ilegale brenda territorit të Kosovës dhe atë trans-kufitar.

“Pas shkatërrimit të një laboratori për kultivim të narkotikëve dje në Veri të Mitrovicës, sërish sot është shkatërruar një rrjet i kontrabanduesve të drogës që kanë bashkëvepruar mes Kosovës dhe Shqipërisë, konkretisht në Mitrovicë dhe Fushë Kosovë. Nga ky aksion janë konfiskuar mbi 56 kilogramë substancë narkotike të llojit marihuanë dhe janë arrestuar pesë pjesëtarë të këtij grupi”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

Policia ka bërë të ditur se gjatë operacionit anti-drogë në orët e hershme të së mërkurës që u zhvillua në Mitrovicën e Jugut dhe në Fushë-Kosovë, janë kapur 56 kg marihuanë dhe janë arrestuar pesë të dyshuar.

Sipas njoftimit të Policisë, personat e arrestuar dyshohen se kanë trafikuar drogë nga Shqipëria në Kosovë e që më pas destinimi ishte jashtë Kosovës.

 

13:56

Policia sekuestron 56 kg drogë dhe arreston 5 persona në aksionin e të mërkurës

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se një operacion policor anti-drogë në orët e hershme të së mërkurës që u zhvillua në Mitrovicën e Jugut dhe në Fushë-Kosovë, janë kapur 56 kg marihuanë dhe janë arrestuar 5 të dyshuar.

Sipas njoftimit të Policisë personat e arrestuar dyshoheshin se trafikonin drogë nga Shqipëria në Kosovë dhe pastaj destinimi ishte jashtë Kosovës.

“Si rezultat i hetimeve dhe veprimeve policore fillimisht në lagjen Uglar të Fushë Kosovës është identifikuar i dyshuari (transportieri) i parë (S.B,) i cili drejtonte një veturë të tipit Mercedes, me të cilën transportonte substancën narkotike të fshehur në bunkerin e modifikuar të veturës. Më pastaj përmes Pikës Kufitare Vërmicë ka hyrë edhe i dyshuari i dytë (B.R.) me veturën e tij po ashtu të tipit Mercedes, i cili ka vazhduar në drejtim të Mitrovicës Jugu ku e priste personi i tretë (N.M.), me të cilin kanë vazhduar në shtëpinë/garazhin e të dyshuarit e cila gjendej në fshatin Vaganicë. Bazuar në planet taktike të hetuesve policorë të DHTN-se dhe njësiteve policore, të njëjtit kanë reaguar duke i arrestuar të dyshuarit në flagrancë, ku gjatë kontrollit të automjetit të dytë dhe të tretit i cili gjendej në garazh, janë zbuluar po ashtu bunker të modifikuar”, thuhet nga Policia.

Dy nga automjetet ishin me targa të Shqipërisë e një me targa vendore, ndërsa gjatë basitjseve në shtëpi janë arrestuar edhe personi i katërt e i pestë, të dy me inicialet A.M.

Pos 56 kg marihuanë, janë sekuestruar tre vetura Mercedes, 5 telefona celularë, mbi 10 mijë euro dhe disa lekë e po ashtu dinar serbë.

Katër të dyshuarve i është caktuar masa e ndalimit për blerje, posedim, shitje e paautorizuar e substanca narkotikje, ndërsa i dyshuari i fundit është liruar në procedurë të rregullt.

Të martën Policia shkatërroi një laborator droge në Zveçan, ku u kap drogë në vlerë mbi 1 milion euro dhe u arrestuan 4 serbë, tre me pasaporta të Serbisë e një të Kosovës.

12:02

Policia vazhdon aksionin anti-drogë në Mitrovicë

Policia e Kosovës (PK) edhe të mërkurën ka vazhduar operacionin anti-drogë në Mitrovicë.

Zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani, ka bërë të ditur se operacioni po zhvillohet dhe se detaje do të jepen pas përfundimit të aksionit.

“Policia e Kosovës, në vazhdën e parandalimit dhe luftimit të veprave penale në përgjithësi e në veçanti ndaj narkotikëve, është duke zhvilluar një operacion policor. Për detaje dhe informacione shtesë lidhur me këtë operacion policor i cili është duke u zhvilluar në bashkëpunim dhe koordinim me prokurorinë kompetente, do të njoftoheni pas përfundimit të operacionit policor”, ka njoftuar Kelani.

Të martën, Policia ka shkatërruar një laborator droge në Zveçan, ndërsa ka kapur sasi droge në vlerë mbi 1 milion euro. U arrestuan katër persona dhe janë dërguar në mbajtje.