Disa të shtëna me armë zjarri janë dëgjuar gjatë pasdites të së hënës në fshatin Rudine, në Zveçan.
Asnjë person nuk ka marrë lëndime trupore si pasojë e këtyre të shtënave, ka thënë për KOHËN zëdhënësi i policisë për veriun e Mitrovicës, Besim Hoti.
Ai ka njoftuar se Policia është në vendin e ngjarjes, ndërsa nuk ka bërë të ditur rrethanat.
“Janë dëgjuar disa të shtëna në fshatin Rudine në Zveçan. Nuk ka pasur shkëmbim armësh, janë dëgjuar të shtëna prej të cilave nuk ka mbetur askush i lënduar. Policia është në vendin e ngjarjes dhe po e hetojnë rastin”, ka thënë ai.
Burime të Kosovapressit bëjnë të ditur se këto të shtëna kanë ndodhur për shkak të një aksioni të Doganës dhe Policisë së Kosovës që është zhvilluar të hënën në komunën e Zveçanit e që ka synim luftën kundër kontrabandimit të mallrave dhe evazionit fiskal.
Sipas këtyre burimeve, pronar i këtij objekti është Sinisha Nedelkoviq, pronar i shtëpisë së mallrave "Metal" në Zveçan, ku veç tjerash shitet edhe teknikë e bardhë, pajisje të ndryshme dhe material ndërtimor.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.