2 perditesime
14:39

Alarmi për bombë në Rektorat, sërish i rremë

Alarmi për bombë në ndërtesën e Rektoratit, ka dalë të jetë i rremë, njoftoi Policia të martën.

Sipas një përgjigje të Policisë për KOHË-n, pas kontrollimit të hapësirës së caktuar nga ana e njësive të specializuara për menaxhimin me mjetet shpërthyese, alarmi ka rezultuar të jetë i rremë.

Kjo është hera e dytë që po alarmohet për mjet shpërthyes në ndërtesën e Rektoratit.

Në të dyja rastet, kanosja e dyshimtë ka ardhur përmes postës elektronike.

13:34

Zjarrfikësit dhe njësiti anti-bombë mbërrijnë te Rektorati

Zjarrfikësit dhe njësiti anti-bombë kanë arritur te ndërtesa e Rektoratit, pas alarmit për bombë, të martën.

Një alarm i tillë u bë edhe të martën e javës së kaluar, por rezultoi të ishte i rremë.

Policia ka konfirmuar se kanosja e dyshimtë ka ardhur përmes postës elektronike.

12:25

Përsëri kërcënim me bombë, rrethohet Rektorati

Policia e Kosovës ka rrethuar të martën ndërtesën e Rektoratit të Prishtinës, për shkak të alarmit për mjet shpërthyes.

Një alarm i tillë u bë edhe të martën e javës së kaluar, porse rezultoi të ishte i rremë.

Policia ka konfirmuar se kanosja e dyshimtë ka ardhur përmes postës elektronike.

“Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur ndërmarrjen e veprimeve operative të nevojshme për të menaxhuar me situatën”, ka thënë zëdhënësja e Policisë, Flora Ahmeti.

Po ashtu, prorektori Elton Bahtiri, ka thënë për KOHË-n se Policia ka kërkuar të lirohet objekti për shkak të kërcënimeve të marra për mjet shpërthyes.

Ditëve të fundit, në vendet e rajonit, sidomos në Serbi, alarmet e rreme për bomba kanë qenë të shumta.