Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar paraburgimin e një personi për mashtrimin e qindra personave me dokumente.
Hetimet kishin nisur lidhur me rastin e mashtrimit të qindra qytetarëve, në të cilin kanë përfunduar të arrestuar më parë katër persona, më 23 qershor 2022 është ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh personi me inicialet V.C., për shkak të dyshimit se ka kryer veprat penale “Mashtrimi” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.
Prokurorja e rastit ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj V.C.
“Sipas kërkesës, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri V.C., nga data 12.09.2019 e deri në muajin shtator 2021, në Agjencinë “BCD Travel”, për të cilin rast prokuroria e ka njoftuar opinionin publik, i njëjti në bashkëkryerje me disa persona kanë mashtruar qindra qytetarë, tani të dëmtuarit, në atë mënyrë që duke përdorur dokumente të falsifikuara kanë hapur agjencinë e lartcekur dhe përmes paraqitjes së rreme të fakteve, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore kanë mashtruar të dëmtuarit kinse për t’ju siguruar viza pune për në shtetet perëndimore dhe skandinave, për të cilat shërbime të aplikimit përmes kontratave të pavërteta, të dëmtuarit kanë paguar shuma të caktuara të parave me premtimin se do t’i marrin vizat, mirëpo pas përpjekjeve për të kontaktuar me personat përgjegjës, të pandehurit nuk janë lajmëruar, me ç’ rast të dëmtuarve ju është shkaktuar dëm material”, thuhet në komunikatën e prokurorisë në sqarimin për rastin.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.