2 perditesime
18:51

Policia e Kosovës: Autoambulanca në Zveçan u ndal për kontrabandë të barnave

Produkte medicinale me banderola të Serbisë e pa dokumente të prejardhjes, ka hasur Policia e Kosovës në autoambulancën e ndaluar në Zveçan, bëhet e ditur në një komunikatë nga ky institucion të martën pasdite.

Sipas njoftimit zyrtar, rreth orës 13:30 në fshatin Rudare të Zveçanit, Policia ka ndalur autoambulancën e drejtuar nga Dejan Spahiq, i lindur më 1965.

“Njësitet policore gjatë kontrollimit të automjetit, të ngarkuar në të, kanë hasur pako me produkte medicionale me banderola të Serbisë. Drejtuesi i automjetit, nuk posedonte dokumente për prejardhjen e produkteve medicioanle, andaj ekziston dyshim i bazuar se ato kanë hyrë në territorin e Republikës së Kosovës në mënyrë ilegale, pra janë kontrabanduar duke i ikur obligimeve doganore. Policia për rastin ka njoftuar prokurorin e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë dhe rasti në koordinim me të është duke u trajtuar nga policia”, thuhet në njoftim të Policisë.

Arrestimi i Spahiqit ka nxitur reagim edhe të shtetit të Serbisë. Petar Petkoviq, drejtor i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, e ka cilësuar arrestimin “kidnapim nga Kosova”.

17:07

Serbia akuzon Kurtin për “kidnapimin e shoferit” të autoambulancës me ilaçe pa dokumente

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albun Kurti, se “personalisht ka urdhëruar kidnapimin e Dejan Spahiqit, shofer i autoambulancës në qendrën mjekësore në Mitrovicë të Veriut”.

Në një konferencë për media të martën, Petkoviqi ka publikuar fotografi të Spahiqit duke thënë se për këtë do të ngrihen kallëzime penale ndaj Kurtit, “që po vazhdon të terrorizojë popullin serb në Kosovë e Metohi”.

“Një ditë pas qetësimit të tensioneve në veri të Kosovës dhe Metohisë, Kurti po nis provokime të rënda”, ka thënë Petkoviqi.

Sipas tij, Spahiq u ndal nga vetura e Njësisë Speciale dhe katër policë “të veshur deri në dhëmbë e të maskuar”. Ka thënë se madje njëri nga policët ka vozitur autoambulancën në drejtim të jugut, shkruan "Kosovo-Online".

“Arsyeja përse vodhën veturën, shoferin dhe furnizimet mjekësore ishte sepse Dejan Spahiq po transportonte infuzionin nga Qendra e Mjekësisë në Leposaviq në drejtim të Qendrës Mjekësore në Mitrovicën e Veriut”, ka thënë Petkoviqi.

Ai ka shtuar se “Albin Kurti po i sulmon pacientët që po presin për ilaçe dhe pajisje medicinale”.

“Pas sulmit në tabelat tona dhe letërnjoftime, është koha për institucionet tona shëndetësore dhe pacientët tanë. Njerëzit janë të nervozuar e zhgënjyer sepse askush nuk e di cili është plani i ardhshëm i Albin Kurtit”, ka thënë ai duke shtuar se e ka njoftuar për këtë edhe emisarin special të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.

Petkoviqi ka thënë se furnizimet mjekësore në “spitalet serbe janë të pakta dhe se autoritetet e Prishtinës kanë ndaluar transportin e mjeteve mjekësore në drejtim të Kosovës për më shumë se një vit”.

“Kurti jo vetëm që ka ndaluar dërgimin e ilaçeve të reja, por ai kidnapon e arreston shoferë dhe çon mesazhin se serbët s’mund të trajtohen. Për ne, kjo është e papranueshme. Kurti nuk dëshiron paqe dhe vazhdon të sillet në një mënyrë që dëshiron ta eskalojë konfliktin, siç tregon ngjarja e sotme”, ka thënë ai duke shtuar se ka zhgënjim “edhe se përse KFOR-i e QUINT-i nuk po reagojnë”.

Sipas tij, çështja e ilaçeve është tentuar disa herë të ngrihet edhe në dialogun në Bruksel.

16:43

Ndalet në Zveçan autoambulanca, dyshohet se transportonte ilaçe pa dokumente

Një shofer automabulance është ndaluar në Zveçan të martën pasdite, nën dyshimin se ka qenë duke transportuar produkte medicinale pa dokumente përkatëse, ka mësuar KOHA.

Sipas burimeve, vozitësi është ndaluar nga Njësia për Ndërhyrje të Shpejtë dhe është shoqëruar për në Polici.

Në fotografitë e siguruara nga KOHA, shihet autoambulanca e mbushur me kuti.

Ndalimi i autoambulancës është bërë në afërsi të udhëkryqit për Zveçan.