1 perditesime
Kronikë e zezë

Në operacionin antidrogë të Policisë së Kosovës , u ndaluan 11 të dyshuar

Në operacionin antidrogë të Policisë së Kosovës , u ndaluan 11 të dyshuar
14:04

Në operacionin antidrogë të Policisë së Kosovës , u ndaluan 11 të dyshuar

Policia e Kosovës ka njoftuar se sot e ka zhvilluar një operacion në lokacione të ndryshme që ndërlidhen me trafikim të armëve dhe kultivim të bimëve narkotike.

Operacioni është zhvilluar në rajonin e Mitrovicës dhe të Pejës ndërsa si rezultat janë shoqëruar në stacion 11 të dyshuar, ka njoftuar Policia e Kosovës.

Policia ka bërë të ditur se janë kontrolluar shtëpitë e të dyshuarve dhe objektet përcjellëse, ndërsa është gjetur edhe një plantacion i bimëve narkotike në një fushë të hapur.

Gjatë operacionit policor u sekuestruan shtatë armë (2 AK-47 dhe 5 revole), rreth 70 fishekë të kalibrave të ndryshëm, 92 bimë kanabisi (marihuanë), mbi 25 gramë kokainë, 5500 euro para të gatshme, 6 telefonë dhe dokumente relevante për rastin.

Gjashtë prej të dyshuarve janë dërguar në mbajtje.

“Pas procedurave të intervistimit me urdhër të prokurorit kompetentë 6 prej tyre janë dërguar në mbajtje. Policia e Kosovës do të vazhdojë përkushtimin e saj në realizimin e detyrave për parandalimin dhe luftimin e krimit si dhe identifikimin dhe arrestimin e personave kryes të veprave penale”, thuhet në raportin e Policisë.

08:59

Aksion anti-drogë në pesë komuna, ka të arrestuar

Prokuroria Themelore në Pejë ka konfirmuar se të mërkurën në mëngjes është zhvilluar një aksion anti-drogë në pesë komuna dhe deri tani ka të arrestuar. 

Aksioni ka nisur herët në mëngjes në Pejë, Istog, Klinë, Skenderaj dhe Mitrovicë.

Aksioni lidhet me dyshimin për import e shitblerje të paautorizuar të armëve si dhe kultivim të bimëve narkotike.

“Prokuroria Themelore në Pejë, departamenti i krimeve të rënda është duke zhvilluar sot një aksion në 5 komunat e RKS, Pejë, Istog, Klinë, Skenderaj dhe Mitrovicë dhe janë duke u bastisur 13 lokacione ku njëkohësisht është siguruar edhe vendi i ngjarjes ku dyshohet se ka plantacion të kanabisit. Poashtu në disa lokacione janë sekuestruar edhe armë, para, telefona dhe elemente tjera të veprës penale”, ka thënë Shkodran Nikçi, zëdhënës i Prokurorisë Themelore në Pejë.