Policia i zë në flagrancë dy persona gjatë shitblerjes së marihuanës, në bastisje i kap edhe 1.3kg
Dy persona janë arrestuar mbrëmjen e së mërkurës në Prizren pasi ishin zënë në flagrancë teksa bënin shitblerje të substancës narkotike, marihuanë, ka njoftuar Policia e Kosovës në raportin 24-orësh.
Sipas njoftimit, gjatë bastisjes në shtëpinë e njërit prej të dyshuarve janë gjetur dhe sekuestruar edhe 1.3 kilogramë marihuanë, në paketime të ndryshme.
Po ashtu janë sekuestruar edhe një peshore digjitale, dy telefona celularë e 262 euro të gatshme.
Njëri nga të dyshuarit është dërguar në mbajtje e tjetri është liruar në procedurë të rregullt.