Një burrë dhe një grua janë arrestuar të mërkurën në Prishtinë, nën dyshimin për mashtrim me kriptovaluta.
Sipas njoftimit të Policisë, të dyshuarit janë arrestuar pas raportimit ndaj tyre më 17 gusht.
Të dyshuarit F.C., 33 vjeç dhe L.Rr., 21 vjeç, dyshohet se kanë marrë nga një person tjetër shuma të ndryshme parash për investim në kriptovaluta, duke u premtuar përfitime të mëdha.
“Mbështetur në rezultate e para të hetimit, policia ka ngritur dyshimin e bazuar se ata dyshohet të kenë marrë nga ankuesi shuma të ndryshme parash për investim në kriptovaluta (vlera e përafërt arrin deri në 500.000 euro) duke i premtuar përfitime të mëdha. Për më shumë dyshohet që mashtrimi mund të ketë ndodhur në vazhdimësi për një periudhë të gjatë kohore dhe dyshohet se numri i personave të mashtruar nga personat e dyshuar mund të jetë më i madh se sa numri i raportuar”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Policia ka kërkuar nga qytetarët që mund të kenë qenë viktimë e rasteve të tilla të lajmërohen në stacionin më të afërt policor.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.