Policia e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë ditës së mërkurë dhe të enjte, në tri komuna të ndryshme të Kosovës janë arrestuar shtatë të dyshuar për posedim të narkotikëve.
Sipas njoftimit të Policisë të enjten, në Gjilan janë arrestuar tre të dyshuar, ndërkaq në Prishtinë dy të tjerë.
“Pas lokalizimit të vendndodhjes së personave të dyshuar, janë realizuar veprime të shpejta operacionale dhe njësitë policore kanë arrestuar tre personat e dyshuar meshkuj/kosovar. Si prova materiale nga të dyshuarit gjatë operacionit të kontrollit është konfiskuar sasi e substancës narkotike ( 373.1 gr dhe 822.6 gr) dhe një peshore digjitale. Po ashtu mbrëmë me datë 25.01.2023, në rajonin e Prishtinës hetuesit e antidrogës gjatë një operacioni kanë arrestuar dy persona të dyshuar tjerë për posedim droge dhe janë kryer bastisje në lokacionet e tyre. Dëshmi relevante janë sekuestruar nga policia për procedura të mëtejme ligjore”, thuhet në njoftim.
Sipas Policisë, dy persona të tjerë janë arrestuar në Pejë.
“Një operacion tjetër i antidrogës është realizuar edhe sot më 26.01.2023, në rajonin e Pejës, ku me urdhër të organeve të drejtësisë, në mbështetje të Njësive për reagim të shpejtë (NJRSH) Pejë dhe Forensikës Rajonale është zbatuar urdhër kontroll në lokacionin e dy personave të dyshuar dhe gjatë operacionit të bastisjes-kontrollit të shtëpisë, tek njëri i dyshuar janë gjetur: Një revole, një grinder (mulli për bluarje të Marihuanës), substancë e dyshuar narkotike e llojit Marihuanë në peshë prej 119.4 gram e cila ishte e ndarë në vende të ndryshme. Në vazhdën e bastisjes-kontrollit, në dhomën e të dyshuarës tjetër në një kasafortë metali janë gjetur dhe sekuestruar 5.8 gram substancë e dyshuar narkotike e llojit Marihuanë”, bëhet e ditur në njoftimin e Policisë.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.