Ministria e Mbrojtjes njoftoi se të enjten është kapluar nga zjarri një nga objektet në kazermën e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Istog.
Sipas Ministrisë, zjarri është lokalizuar nga zjarrfikësit e Istogut, Klinës, Pejës, Skenderajt dhe nga pjesëtarët e Regjimentit të dytë të Këmbësorisë e të Komandës së Forcave Tokësore.
Personeli është evakuuar, ndërsa pos dëmeve materiale, nuk pati në njerëz. Ministria e Mbrojtjes tha se shkaqet e shkaktimit të zjarrit po hetohen, ndërsa dyshimet e para thonë se u shkaktua si pasojë e instalimit të vjetruar të energjisë elektrike.
“Paraprakisht, nga vendngjarja është evakuuar me kohë personeli. Tani zjarri është shuar tërësisht dhe ekipet e specializuara të FSK-së janë duke punuar për sanimin e gjendjes dhe eliminimin e dëmeve tjera kolaterale. Shkaku dhe pasojat e zjarrit janë duke u hetuar nga autoritetet përgjegjëse për menaxhimin e sigurisë së FSK-së, por dyshohet të kenë qenë si pasojë e instalimit të vjetruar të energjisë elektrike”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.