1 perditesime
13:38

“Top Channel”: Roja u gjend në qendër të breshërisë me 25 plumba në drejtim të objektit

Mediumi shqiptar “Top Channel”, i cili u godit nga një sulm me armë në orët e para të së hënës, ka reaguar për rastin, duke thënë se në 32 vjet punë, nuk ka ndodhur asnjëherë më parë.

Duke ngushëlluar familjen e rojës i cili mbeti i vdekur si pasojë e këtij sulmi, nga ky medium është kërkuar që të zbardhet plotësisht kjo ngjarje nga organet ligjzbatuese.

“Ky krim i paprecedentë e akt terrorist, kërkon menjëherë reagim të përgjegjshëm e të ashpër nga Policia e Shtetit dhe institucionet e drejtësisë, për të vënë përpara përgjegjësisë autorët e vrasjes”, thuhet në njoftim.

Reagimi i plotë i mediumit:

Pasojë e këtij sulmi ishte humbja e jetës së punonjësit të sigurisë, Pal Kola, i cili i ka qenë në krye të detyrës, pjesë e stafit të shoqërisë së sigurisë “Öktapus”.

Në orën 00.40, i ndjeri Pal Kola është gjendur në qendër të breshërisë me 25 plumba në drejtim të godinës së Top Channel.

Humbja e jetës së familjarit, të babait e bashkëshortit Pal Kola në krye të detyrës, është tronditja dhe goditja më e madhe për Top Channel.

Ngushëllojmë me hidhërim të thellë familjen Kola, duke qëndruar pranë tyre në përballimin e kësaj fatkeqësie.

Po ashtu, Top Channel shpreh qartësinë që ky akt terrorist i paprecedent, është kryer për të dëmtuar e goditur misionin e medias së lirë dhe fuqisë së fjalës së lirë.

Top Channel, është themeluar, krijuar me frymën e njeriut që ndërtoi jo vetëm idenë e një media shqiptare me vlera perëndimore, por dhe mbi të gjitha e një media që përfaqësohet nga grupi i madh i profesionistëve të shquar, figurave publike dhe intelektuale, që çdo ditë ne një transmetim të pandalshëm televiziv e jo vetëm, i shërbejnë publikut me dedikim të plotë.

Sulmet terroriste të këtij lloji tregojnë qartazi sa e rëndësishme është fjala e lirë sa shqetësuese për minuesit e demokracisë.

Në emër të detyrës më të lartë të cilës i kemi shërbyer, Top Channel do të vijojë të trashëgojë dhe të kryejë misionin e vet të fjalës së lirë ndaj publikut e shoqërisë shqiptare.

Në emër të këtij misioni, Top Channel kërkon dhe pret zbardhjen e plotë të ngjarjes nga organet ligjzbatuese.

Zbardhja e këtij akti duhet të jetë prioritet për organet ligjzbatuese, sepse është vrarë një punonjës i Top Channel, por gjithashtu është atentat ndaj televizionit që ka shërbyer në transparencë e mbështetjen e të drejtës duke kontribuar me informacion e ndërgjegjësim dhe fuqizim të institucioneve të së drejtës për shoqërinë shqiptare.

Ky akt terrorist është i paprecedent ndaj një media kombëtare, e lidhet vetëm me misionin e saj të fjalës së lirë.

Top Channel, aksionarët e tij e familjarët, drejtuesit, gazetarët e autorët, nuk kanë e nuk ka qenë kurrë objektiv i ndonjë sulmi individual që prej themelimit të tij, gjithçka në këtë akt terrorist, lidhet dhe ka të bëjë vetëm me misionin e Top Channel.

Ky krim i paprecedentë e akt terrorist, kërkon menjëherë reagim të përgjegjshëm e të ashpër nga Policia e Shtetit dhe institucionet e drejtësisë, për të vënë përpara përgjegjësisë autorët e vrasjes.

Top Channel, është e do të jetë, në shërbim të publikut shqiptar, pavarësisht presioneve të vazhdueshme të minuesve të demokracisë, të cilat i njohin dhe përballojnë të gjitha mediat e lira që adhurojnë e ndërtojnë përkrah vlerave perëndimore për ndërtimin e institucioneve dhe principeve të shoqërisë shqiptare.

08:02

Vritet roja e mediumit “Top Channel” në Shqipëri, autorët në arrati

Mediumi shqiptar, Top Channel është përballur me një situatë të rëndë mesnatën e së dielës, ku është qëlluar me armë zjarri në drejtim të ndërtesës s nga persona ende të paidentifikuar.

Roja i sigurisë, Pal Kola 60 vjeç humbi jetën, pasi u qëllua me armë rreth orës 01:00, në rrethana ende të paqarta.

Në autostradën e Kavajës, te vendi i quajtur “Përroi i Agait” është gjetur një veturë e djegur tip “Range Rover”, i cili dyshohet se u përket autorëve.

Sipas informacioneve, targat e mjetit rezultojnë të vjedhura.

Policia është në vendngjarje, ndërsa grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e rrethanave.

Gjithashtu janë ngritur pika kontrolli dhe vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorëve./TCH


Rama: Agjencitë ligjzbatuse t’i përgjigjen agresionit kriminal ndaj Top Channelit

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar për sulmin me armë ndaj “Top Channelit”, ku si pasojë mbeti i vdekur roja e këtij mediumi.

Rama ka thënë se ky agresion kriminal kërkon përgjigje nga organet e drejtësisë.

Ai më tej ka shprehur ngushëllime për familjen e viktimës dhe për mediumin, duke thënë se meritojnë solidaritet në këtë moment të rëndë për ta.

“Agresioni kriminal ndaj TCH me pasojë edhe një humbje jete të personelit të sigurisë, kërkon përgjigje të qartë nga agjencitë ligjzbatuese! Ngushëllime familjes së të ndjerit dhe krejt bashkësisë së TCH, e cila meriton solidaritetin e të gjithëve në këtë moment kaq shqetësues”, ka shkruar Rama në Twitter.

Roja i sigurisë i TCH-së, Pal Kola 60 vjeç humbi jetën, pasi u qëllua me armë rreth orës 01:00, në rrethana ende të paqarta, teksa autorët janë në arrati.

 


Begaj kërkon nga organet e drejtësisë ta zbardhin sa më shpejt sulmin ndaj “Top Channelit”

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka shprehur ngushëllime për familjen e viktimës që vdiq si pasojë e sulmit me armë të hënën në ndërtesën e mediumit “Top Channel”.

Begaj ka kërkuar nga organet ligjzbatuese ta zbardhin sa më shpejt rastin.

“Ngjarje vërtet e rëndë ajo e orëve të para të mëngjesit, ku godina e televizionit kombëtar “Top Channel” është qëlluar me armë, e ku për pasojë ka humbur jetën roja i sigurisë Pal Kola. Teksa i shpreh ngushëllimet e mia familjes së z. Kola, inkurajoj organet ligjzbatuese ta zbardhin sa më shpejt dhe me përgjegjshmërinë më të lartë këtë ngjarje kriminale”, ka shkruar ai.

i sigurisë i TCH-së, Pal Kola 60 vjeç vdiq, pasi u qëllua me armë rreth orës 01:00, në rrethana ende të paqarta, teksa autorët janë në arrati.