1 perditesime
Kronikë e zezë

Bastisen 12 lokacione nën dyshimet për dallavere në NPB

Bastisen 12 lokacione nën dyshimet për dallavere në NPB
FOTO: KOHA/Ilustrim
14:13

Bastisen 12 lokacione nën dyshimet për dallavere në NPB

Në 12 lokacione Policia e Kosovës ka kryer bastisje të mërkurën nën dyshimin për dallavere në Ndërmarrjen Publike Banesore, lidhur me një kontratë për ndërtimin e katër objekteve afariste e banesore në vlerë prej mbi 120 milionë eurosh.

Siç ka njoftuar Prokuroria Speciale, janë kryer kontrolle në pronat e të dyshuarve: H.H, V.M, D.K, L.M, XH.L, A.J, G.SH, B.P, A.M, B.B dhe D.B..

Ata dyshohet se në cilësinë e personave zyrtarë kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 i KPRK-së; “Lidhja e kontratës së dëmshme” nga neni 285 i KPRK-së; dhe “Mashtrimi” nga neni 323 i KPRK-së.

“Gjithashtu, ekziston dyshimi i arsyeshëm se është keqpërdor detyra zyrtare, nga zyrtarët e përfshirë në këtë proces, nga faktet se si janë zhvilluar procedurat e përshpejtuara për ndërtimin e katër objekteve afariste dhe banesore, vlera e të cilave kalon njëqindenjëzet milion (120.000.000) euro”, thuhet në njoftim.

Gjatë bastisjes janë sekuestruar: 17 dosje dhe dokumente që ndërlidhen me rastin, 6 laptopë, 2 shtëpiza, 11 telefona, 2 sim card dhe 6 usb.

Partia Socialdemokrate (PSD) i ka cilësuar përndjekje politike bastisjet që janë kryer të mërkurën tek ish-zyrtarët e Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB), që janë pjesë e kësaj partie.

 

 

09:46

Bastisje në disa lokacione për dyshime për keqpërdorime në NPB

Bastisje në disa prona janë kryer në Prishtinë dhe rajon të mërkurën në mëngjes, lidhur me Ndërmarrjen Publike Banesore. Mësohet se aksioni është zhvilluar pas një hetimi prej gati dy vjetësh për dyshime për keqpërdorime lidhur me një objekt afaristo-banesor në lagjen “Lakërishtë” në kryeqytet.

Siç ka mësuar KOHA, është vendosur që të ketë kontroll në pronat e zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të NPB-së. KOHA ka mësuar se bastisje janë zhvilluar edhe në kompanitë e dyshuara në këtë çështje dhe sipas burimeve rasti do të zhvillohet në procedurë të rregullt.

"Mund të konfirmojmë se Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, janë duke realizuar disa operacione policore, në disa lokacione/rajone të ndryshme. Pas përfundimit të operacioneve, do të bëhen të ditura detajet shtesë rreth këtyre operacioneve policore”, ka thënë për KOHËN, zëdhënësi i Policisë, Bajram Krasniqi.

Aksioni është zhvilluar nga Drejtoria për Krimet Ekonomike në Policinë e Kosovës.

Në gusht të vitit të shkuar, Lëvizja Vetëvendosje pati dorëzuar padi ndaj NPB-së lidhur me dyshimet për keqpërdorime për ndërtimin e objektit. 

Arbnor Neziri nga kabineti i kryeshefit të NPB-së në një konferencë për media ka thënë se jozyrtarisht kanë mësuar se bëhet fjalë për bastisje te ish-menaxhmenti i ndërmarrjes.

“Mund të ju konfirmojmë që bastisjet te zyrat e NPB-së nuk ka. Mund të ketë edhe siç jam informuar në media tek ish-menaxhmenti i ndërmarrjes”, ka deklaruar Neziri, raporton EkonomiaOnline.

Ai tutje është shprehur se nuk kanë informacione të sakta për numrin e zyrtarëve tek të cilët janë kryer bastisje.

“Nuk kemi informacione të sakta për numrin e zyrtarëve dhe as nuk kemi informacion zyrtar nga policia”, ka thënë Neziri.