Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me vrasjen që ka ndodhur të dielën në Prizren.
Sipas raportit të Policisë dyshohet se vrasja ka ndodhur pas një mosmarrëveshjeje që kanë pasur mes vete viktima dhe i dyshuari.
“Prizren 03.09.2023-18:45. Dyshohet se i dyshuari mashkull kosovar pas një mosmarrëveshje që kishte pasur me viktimën mashkull kosovar, ka shtënë me armë zjarri në drejtim të tij. Si pasojë e plagëve të marra viktima ka ndërruar jetë. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore, prokurori kujdestar dhe ekipi mjekësor i cili ka konstatuar vdekjen e viktimës”, thuhet në raportin e Policisë.
Me vendim të prokurorit, thuhet se trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Sipas Policisë i dyshuari gjenden në arrati.
“Ndërsa njësitet policore kanë kryer disa bastisje në lokacione të ndryshme në kërkim të vendndodhjes së të dyshuarit i cili është në kërkim policor. Lidhur me rastin janë duke u kryer hetime intensive”, thuhet në raportin e Policisë.
Për këtë rast ka njoftuar edhe Prokuroria Themelore në Prizren.
“Sipas hetimeve të para të prokurorisë, i dyshuari A.G., pas një mosmarrëveshje që kishte pasur me viktimën B.M., ka shtënë me armë zjarri në drejtim të tij. Si pasojë e plagëve të marra, viktima ka ndërruar jetë. Prokurori kujdestar së bashku me njësitë tjera relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes, dhe me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion, ndërsa me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake, policia ka kryer disa bastisje në lokacione të ndryshme në kërkim të vendndodhjes së dyshuarit i cili është në kërkim policor. Lidhur me rastin, prokuroria në bashkëpunim më policinë janë duke kryer hetime intensive”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.