Lindin dyshime për prejardhjen e viktimave në Greqi
Foto: InTime
Policia në Greqi është duke vazhduar hetimet për vrasjen e gjashtë personave në Artemida, rreth 20 kilometra larg kryeqytetit. Gjashtë burrat, tash besohet se ishin turq dhe jo shqiptarë siç u raportua fillimisht. Ata u qëlluan për vdekje në mbrëmjen e së hënës derisa po ecnin me një veturë me tabela gjermane.
Pesë nga viktimat ishin brenda, ndërsa i gjashti, u gjet jashtë.
Për asnjë nga gjashtë viktimat – emrat e të cilëve ende nuk dihen – nuk u gjet se kanë pasur të kaluar kriminale brenda Greqisë, shkruan “ekathimerini”.
Është raportuar se viktimat kishin edhe dokumente identifikimi false. Po ashtu raportohet se edhe targat e veturës ishin false.
Sipas të dhënave zyrtare, viktimat u qëlluan më shumë se 20 herë.
Autoritetet greke kanë kërkuar ndihmën e Interpolit dhe po punojnë me ekipet gjermane.
Aktualisht, Policia po e trajton rastin si përleshje midis bandave kriminale.