Telefonoi rrejshëm Policinë për vrasje, arrestohet i dyshuari në Gjakovë
Foto ilustrim: KOHA
Një person është arrestuar nën dyshimin se ka telefonuar dhe ka raportuar rrejshëm për vrasje në fshatin Ramoc të Gjakovës.
Drejtori rajonal i Policisë në Gjakovë, Lumni Graishta, ka thënë për KOHËN se i dyshuari në momentin e raportimit nuk ka pranuar të identifikohet.
“E kemi parë si të dyshimtë këtë informacion, por nuk kemi mundur ta injorojmë për shkak të ndjeshmërisë së raportimit. Njësitet përkatëse kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë kontaktuar edhe me banorët e këtij fshati dhe nuk ka rezultuar ashtu siç ishte raportuar rasti. Në ndërkohë është punuar edhe në verifikimin e burimit të informatës. I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është ndaluar për 48 orë”, ka thënë ai.