1 perditesime
Kronikë e zezë

Gëzim Çela po strehohej nga një kosovar në një fshat të Vitisë

Gëzim Çela po strehohej nga një kosovar në një fshat të Vitisë
FOTO: Gëzim Çela pas arrestimit /Tch
21:12

Gëzim Çela po strehohej nga një kosovar në një fshat të Vitisë

Policia e Kosovës ka konfirmuar arrestimin e Gëzim Çelës, i cili njihet si “baron i drogës”, duke zbuluar se ai po strehohej nga një shtetas i Kosovës në një fshat të Vitisë.

Policia ka bërë të ditur se në momentin e arrestimit Çela ishte në fshatin Dardani të Ferizajt dhe, përveç shtetasit kosovar, ishte i shoqëruar edhe nga dy femra shtetase të Shqipërisë.

“Për arrestimin janë njoftuar organet e drejtësisë dhe me urdhër nga prokurori i Departamentit të Krimeve të Rënda-Ferizaj është kontrolluar shtëpia e të dyshuarit A.I., në një fshat të Vitisë. Gjatë kontrollit në shtëpi është gjetur dhe konfiskuar një AK-47 me 15 fishekë”, thuhet në njoftim.

Çela u shpall në kërkim nga autoritetet në Shqipëri rreth dy muaj më parë, pasi dyshohet se drejtoi një grup për trafikun e lëndëve narkotike. 

Ishte shpallur në kërkim edhe në INTERPOL Tirana dhe Roma.

19:30

Arrestohet në Kosovë “baroni i drogës”, Gëzim Çela

Gëzim Çela, i cili njihet si “baroni i drogës” në Shqipëri, është arrestuar të premten në Kosovë, raporton “Euronews”.

Çela akuzohet për trafik droge dhe grup kriminal.

Gëzim Çela ishte shpallur në kërkim me urdhër të Prokurorisë së Posaçme kundër Krimit dhe Korrpusionit (SPAK) në kuadër të operacionit “Flakë në det” ku u arrestua shefi i Komisariatit të Laçit, Dritan Metaj.

Çela, që ka pasur bazën në Fushë-Kuqe të Kurbinit, ka qenë i dënuar për “shfrytëzim prostitucioni”.

Ai dyshohet se përdorte vilën e tij në Fushë-Kuqe për trafik droge. Kur droga mbërrinte në Shqipëri, ajo dërgohej në vilën e Gëzim Çelës në Fushë-Kuqe, nga ku shpërndahej për në vendet perëndimore. Çela e kishte shndërruar vilën e familjes në laborator për përzierjen e drogës. 

Në qershor të vitit 2014 policia shqiptare dhe ajo kosovare shkatërroi një grup të strukturuar kriminal, i cili trafikonte droga të forta nga Turqia drejt Evropës Perëndimore, duke përdorur edhe territorin e Shqipërisë. Në pikën kufitare të Morinës në Kukës u arrestua shtetasi Erald Hysolli, me shtatë kilogramë kokainë. Ai ishte korrier droge, që furnizohej në Prishtinë. Po në të njëjtën kohë, në Prishtinë u arrestuan në flagrancë tre persona, si dhe u sekuestruan 50 kilogramë kokainë dhe heroinë. Kurse, gjatë kontrollit në vilën e Çelës në Fushë-Kuqe të Kurbinit u gjetën përpos 18 kilogramë kokainë, edhe 150 kilogramë kanabis sativa. Forcat policore sekuestruan po ashtu nëntë armë, tre snajpera, granata dhe makina të blinduara. Çela u lirua nga gjykata shqiptare me argumentin se vuante nga një sëmundje e rëndë. Më pas u arrestua se kishte falsifikuar kartelën mjekësore dhe u la në “arrest shtëpie”. Çela u shpall në kërkim si kreu i këtij rrjeti të trafikut të drogës dy muaj më parë. Kur policia rrethoi shtëpinë e Çelës në Mamurras, ai nuk ishte aty. 

Çela ka qenë oficer i Forcave Speciale të Policisë. Këtë post e ka mbajtur përpara vitit 1997.