6 perditesime
23:15

13 të vdekur e dhjetëra të lënduar nga aksidenti në Shkup

13 persona kanë vdekur dhe tridhjetë të tjerë janë lënduar, si pasojë e rrokullisjes së një autobusi, në autostradën Shkup-Tetovë, në kilometrin e shtatë të saj.

Shtatë persona kanë vdekur në vendin e ngjarjes, derisa gjashtë të tjerë pasi që janë bartur në Qendrën Klinike në Shkup.

Udhëtarët e lënduar po vazhdojnë të trajtohen në emergjencë dhe gjendja e tyre është e rëndë.

Sipas kryetarit të Gostivarit, Arben Taravari, të gjithë pasagjerët, 35 gjithsej, janë nga komuna e Gostivarit.

Në vend të ngjarjes ka dalë edhe Prokuroria Publike, e cila ka thënë se hetimet do t’i vazhdojë të enjten.

“Sipas informacioneve të para nga hetimi, aksidenti ka ndodhur pasdite, kur autobusi i kompanisë ‘Durmo Turs’, me targa të Gostivarit, ka kaluar mburojën e hekurt në anën e kundërt të autostradës, më pas ka dalë nga rruga dhe është rrokullisur në afërsi të fshatit Llaskarcë. Në drejtim të vërtetimit të aksidentit, Prokurori Publik do të lëshojë urdhër për obduksion të personave të vdekur, si dhe kontroll të jashtëzakonshëm teknik të makinës. Shoferi i autobusit është hospitalizuar, ndërsa, nga ana e Prokurorit Publik, është lëshuar urdhër për analizë të gjakut dhe urinës”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë, raporton KTV.

Mediat në Maqedoni raportojnë se aksidenti ka ndodhur si shkak i humbjes së kontrollit nga shoferi i autobusit.

Për rastin ka reaguar edhe kryeministri, Zoran Zaev, i cili tha se dhimbja është e madhe.

“Po mobilizojmë të gjitha forcat dhe kapacitetet për t’i ndihmuar të gjithë të tjerët që janë në rrezik për jetë, në mënyrë që sa më shpejt të kthehen te të dashurit e tyre”, ka shkruar Zaev.

Aksidenti ka ndodhur rreth orës 17:00./Agim Sulaj

21:43

Ilir Hasani jep detajet për gjendjen e të lënduarve në Maqedoninë Veriore

Image

Ilir Hasani drejtor i Urgjencës Kirurgjikale në Shkup ka thënë se 8 pacientë janë të lënduar rëndë dhe 4 nga ta janë duke u operuar aktualisht.

Në një prononcim për KTV-në, Hasani ka thënë se 2 nga pacientat janë në gjendje të rëndë.

Në një lidhje direkte në Interaktiv të KTV-së, Hasani ka dhënë detajet nga gjendja aktuale e pacientëve.

“Kemi pranuar tetë pacientë, shtatë janë shtruar në spital e një është transferuar në ‘8 shtatori’. Katër janë në gjendje mjaft të rëndë, të cilët u janë nënshtruar operacioneve aktualisht. 2 prej tyre janë në gjendje kritike. Gjendja e pacientes shtatzënë është stabile, janë disa lëndime trupore që s’kanë shkaktuar çrregullime trupore. Shoferi nuk është pranuar në spitalin tonë, nuk kam informacion për të”, ka thënë Hasani.

20:03

Shkon në 13 numri i viktimave në Maqedoninë Veriore, 40 të lënduar

Ka shkuar në 13 numri i viktimave nga aksidenti që ka ndodhur në Maqedoninë Veriore, ka konfirmuar ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, raporton Alsat-M.

Ndërsa rreth 40 persona të tjerë janë shtruar në Spitalet e Shkupit pas lëndimeve që kanë marrë nga aksidenti në autostradën Shkup-Tetovë.

Këto i konfirmoi ministri i Shëndetësisë në konferencën e parë për media pas aksidentit .

Shkaqet ndonëse nuk dihen akoma, por raportohet se autobusi i kompanisë Durmo Turs, në fshatin Llaskarcë ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga dhe është rrokullisur.

19:35

Në mesin e pacientëve të hospitalizuar në Shkup edhe një grua shtatzënë

Nga 5 pacientët hospitalizuar në qendrën e Urgjencës në Shkup, një është në gjendje kritike dhe në çdo moment do t’i nënshtrohet operacionit.

Bëhet fjalë për një grua e cila është edhe shtatzënë, raporton Alsat-M.

“Për momentin gjendja është nën kontroll kemi numër të madh të personelit të mobilizuar, kemi 5 pacientë, një i gjinisë femërore dhe është shtatzënë. Nga dy femrat njëra është në gjendje kritike. Lëndime shumë serioze, tani do ta fillojmë operacionin”, deklaroi Ilir Hasani, drejtor i Qendrës së Urgjencës.

Derisa kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari në një postim në Facebook ka thënë se në këtë aksident janë përfshirë edhe qytetarë të Gostivarit.

“Fatkeqësisht në këtë aksident janë përfshirë individë të moshave të ndryshme dhe janë nga Gostivari. Këto janë orë të vështira për të gjithë ne, i lutemi Zotit të na ndihmojë”, ka shkruar Taravari.

19:25

Konfirmohen 8 të vdekur nga aksidenti në autostradën Shkup – Tetovë

Numri i viktimave nga aksidenti i sotëm i një autobusi në Maqedoninë Veriore ka shkuar në tetë, ka bërë të ditur zëvendësministri i Brendshëm i shtetit fqinj, Agim Nuhiu.

Autobusi është rrokullisur në kilometrin e shtatë të autostradës Shkup – Tetovë, me ç’rast të lënduar kanë mbetur mbi 20 persona në aksidentin që ndodhi rreth orës 17:00.

“Momentalisht jemi duke i koordinuar aktivitetet. Ekipet e policisë dhe ata të shëndetit publik kanë qenë të koordinuar, përfshi edhe zjarrfikësit, për fat të keq janë 8 viktima”, ka thënë Nuhiu, raporton Alsa-M.

Ende nuk dihen shkaqet e këtij aksidenti, megjithatë raportohet se autobusi i kompanisë Durmo Turs, në fshatin Llaskarcë ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga duke shkaktuar 8 viktima.

18:53

6 viktima nga aksidenti i autobusit në autostradën Shkup – Tetovë

Gjashtë persona kanë vdekur nga aksidenti i një autobusi në autostradën Shkup – Tetovë, raporton Alsat-M.

Ekipet mjekësore tashmë kanë arritur të transportojnë shumicën e të lënduarve në aksidentin që ndodhi në autostradën Shkup-Tetovë.

Sipas këtyre raportimeve thuhet se udhëtarët të cilët janë në gjendje kritike janë dërguar në spitalin shtetëror të Shkupit “Nënë Tereza” dhe në spitalin ushtarak “8 Shtatori”.

18:29

Rreth 20 të lënduar nga rrokullisja e një autobusi në autostradën Shkup – Tetovë, dyshohet për viktima

Rreth 20 persona të lënduar në aksidentin që ndodhi në ora 17:00 në autostradën Shkup-Tetovë, janë transportuar deri më tani në spitalin “8 Shtatori” në Shkup, derisa dyshohet se ka edhe viktima.

Patrullat policore kanë bllokuar dhe siguruar perimetrin e aksidentit. Zëvendësministri i Brendshëm, Agim Nuhiu si dhe ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, janë duke shkuar në vendin e ngjarjes, njofton AlsatM.

Kalimtarët e rastit dhe qytetarët të cilët gjenden në vendngjarje janë mbledhur grup dhe po mundohen që të rrokullisin autobusin, për të mundësuar tërheqjen e udhëtarëve që kanë ngelur brenda autobusit.

Po ashtu, mjete të rënda janë sjellë në vendngjarje për të mundësuar që të lëvizin autobusin.

Autobusi është rrokullisur në kilometrin e shtatë të autostradës Shkup-Tetovë, pas pikë pagesës së parë.

Ekipet e ndihmës së shpejtë kanë shkuar në vendngjarje nga ku po ndihmohen nga kalimtarët e rastit dhe banorët për rreth, për të nxjerrë nga autobusi udhëtarët të cilët kanë ngelur brenda, dyshohet edhe për të vdekur.

Sipas dëshmitarëve thuhet se shkak i aksidentit ishte plasja e gomës, me ç’rast autobusi ka përfunduar në korsinë e kundërt të autostradës.