Kronikë

Një muaj paraburgim ish-kryeshefit të një ndërmarrjeje publike komunale në Mitrovicë

 

Prokuroria Themelore në Mitrovicë - Departamenti për Krime të Rënda, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë caktimin e paraburgimit për shtetasin kosovar S.T, ish-kryeshef i një ndërmarrje publike komunale në Mitrovicë, pasi që dyshohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 të KPRK.

Sipas kërkesës së Prokurorisë të dorëzuar në gjykatë, ekziston dyshimi i bazuar që në periudhën kohore 2015-2018, në cilësinë e kryeshefit ekzekutiv të një ndërmarrje publike komunale në Mitrovicë, i dyshuari S.T, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i ka tejkaluar kompetencat e tij dhe nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare, me qëllimin që të përfitojë dobi pasurore për vete apo personat e tjerë, ashtu që në mënyrë të kundërligjshme ka përfituar në formë të akontacioneve (paradhënieve), për vete shumën prej 35,337.00 €, ndërkaq për punëtorët e tjerë (dëshmitarët) shumën në vlerë prej 82,663.00 €.