Kronikë

Një muaj paraburgim për pesë të dyshuar që u kapën me rreth 11 kg drogë

 

Prokuroria Themelore në Mitrovicë - Departamenti për Krime të Rënda, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë caktimin e paraburgimit për pesë shtetasit kosovarë E.L, K.L, E.M, G.J dhe A.L, për shkak të dyshimit të bazuar që të njëjtit kanë kryer veprat penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotropike dhe analoge” nga neni 273 paragrafi 2 lidhur me nenin 281 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 dhe 1.9 të KPRK, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Për të njëjtit ekziston dyshimi i bazuar që me datën 27.02.2019 rreth orës 16.00 pa autorizim e me qëllim shitje kanë transportuar nga Ferizaj për në Skenderaj sasinë prej 10 kilogramë e 835 gramë substancë narkotike të llojit marihuanë, e ku janë ndaluar nga policia, po ashtu në këtë rast në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore të Mitrovicës janë zbatuar masat e posaçme hetimore (blerja e simuluar e sendit).