Kërkohet paraburgim për vëllanë e kryetarit të Vushtrrisë Në foto: Kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri

Kërkohet paraburgim për vëllanë e kryetarit të Vushtrrisë

08 October 2019 15:59

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka kërkuar caktimin e paraburgimit për vëllanë e kryetarit të Vushtrrisë, për veprën penale “Ushtrim i ndikimit” dhe për Sh.K. po ashtu për “Ushtrim të ndikimit”.

Salih Tahiri, vëllai i kryetarit të Vushtrrisë Xhafer Tahiri, u arrestua të hënën pak ditë pasi u publikua një videoskandal ku ai dëgjohej duke diskutuar për marrje ryshfeti në këmbim të lejeve ndërtimore.

“Ndalimi i dy të dyshuarve ka ardhur pas një video-incizimi të publikuar nëpër media, e në të cilat incizime pretendohet se dëgjohet S.T, i cili është vëllai i kryetarit të Komunës së Vushtrrisë Xh.T. Me t’u publikuar video-incizimi, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë - Shyqyri Syla, ka urdhëruar Njësinë Rajonale për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Korrupsionit në Mitrovicën e Jugut, që të nisë hetime përkitazi me publikimin e këtij video-incizimi, ku pas hetimeve janë ndaluar dy të dyshuarit S.T dhe Sh.K, dhe për momentin gjenden në ndalim 48 orësh”, bëhet e ditur në një komunikatë për media.

Seanca dëgjimore për caktimin e masës së paraburgimit pritet të mbahet para gjyqtarit të procedurës paraprake në Gjykatën Themelore në Mitrovicë. ​

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme