Gjykata Themelore në Gjakovë - Departamenti për Krime të Rënda ka shpallur aktgjykim dënues kundër të akuzuarit M.G. për veprën penale, “Vrasje e rëndë” në tentativë nga neni 179 paragrafi 1, pika 1.5 lidhur me nenin 28 dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374 paragrafi 1 të ish Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas njoftimit për media, i akuzuari M.G. është shpallur fajtor dhe i është shqiptuar dënim unik me burg për dy veprat penale në kohëzgjatje prej tre vjet e dy muaj, në të cilin dënim do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga data 05 qershor 2018 deri më 02 korrik 2018.
“I akuzuari është obliguar që të paguaj shpenzimet procedurale në shumën prej 25 euro, shpenzimet e paushallit gjyqësorë në shumën prej 25 euro si dhe shumën prej 50 euro, në emër të kompensimit të viktimave të krimit në afat prej15 ditëve pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi", thuhet në njoftim.
Pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor të zhvilluar kundër të akuzuarit E.B., gjykata ka ardhur në përfundim se në bazë të gjendjes së vërtetuar faktike, i akuzuari, me 05 qershor të vitit 2018 në Gjakovë, me dashje ka tentuar të privoj nga jeta të dëmtuarin L. L., me ç’ rast ka rrezikuar edhe jetën e personave të tretë.
“Konfiskohet një revole e tipit “TT”, një karikator së bashku me dy fishekë, të cilën armë ditën kritike e kishte përdorur i akuzuari. Pala ka të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës”, thuhet tutje në njoftim.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.