Kronikë

Aktakuzë pasi iu bashkua ISIS-it dhe detyroi edhe djalin 3 vjeçar të përfshihet në aktivitete të rrezikshme

Aktakuzë pasi iu bashkua ISIS-it dhe detyroi edhe djalin 3 vjeçar të përfshihet në aktivitete të rrezikshme
Foto: Ilustrim

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë - Departamenti Special, kundër të pandehurit V.Q., për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist” nga neni 143 paragrafi 2 të KPRK-së, si dhe “Keqtrajtimi apo braktisja e fëmijës” nga neni 250 paragrafi 4 të KPRK-së.

“Prokuroria Speciale njofton se i pandehuri V.Q., më 28.06.2014, së bashku me tani të ndjerin A.U., nga komuna e Ferizajt, me paramendim, me dashje dhe me përgatitje paraprake me qëllim që t’i bashkëngjitet organizatës terroriste ISIS në Siri, ka lëshuar territorin e Republikës së Kosovës, përmes vendkalimit kufitar Hani i Elezit, ku ka shkuar në territorin e Maqedonisë, dhe pasi që kanë marrë udhëzimet për mënyrën e rrugëtimit nga I.A. kanë udhëtuar përmes rrugëve ilegale nëpër Bullgari e Turqi, ku më pas kanë arritur në Siri dhe në pjesën kufitare janë pritë nga pjesëtarët e ISIS-it”, thuhet në njoftim.