Vrasje e shumëfishtë në Gjilan Foto nga vendi i ngjarjes / Koha

Nxirren nga shtëpia pesë trupat e pajetë të tragjedisë në Gjilan

18 February 2020 13:38
18:18

Policia e Kosovës ka nxjerrë nga shtëpia pesë viktimat e familjes Bllaca në Gjilan.

Në këtë tragjedi, sot rreth orës 13:00, zyrtarja policore Valdete Bllaca, ka vrarë katër persona - anëtarë të familjes së saj, prindërit dhe dy vëllezërit e saj, dhe në fund e njëjta ka kryer vetëvrasje.

16:32

Haziri propozon një ditë zie pas tragjedisë në Gjilan

Image

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, është shprehur i tronditur me lajmin e vrasjes së pesë personave të një familjeje në Gjilan.

Ai tha se i tërë Gjilani është në ditë zie, ndërsa kërkoi nga mediat që ngjarja të transmeton ashtu siç ka raportuar Prokuroria.

“Kanë qenë familje e ndershme, por që problemet që kanë pasur mund të kenë ndikuar. Zbardhja e rastit deri në fund na çliron. Komuna do të jetë pranë familjes”, tha Haziri para mediave, ndërsa shtoi se ka propozuar një ditë zie në nder të familjes së prekur nga kjo tragjedi.

15:31

Prokurori: Policja i vrau familjarët në shtëpi me armë zyrtare

Zëdhënësi i Policisë në Gjilan, Ismet Hashani, ka folur pas tragjedisë që ndodhi sot atje e ku mbetën të vdekur 5 persona. Policja V.B vrau prindërit, më pas vëllezërit e në fund kreu vetëvrasje.

“Jemi këtu fatkeqësisht për të kumtuar një lajm tragjik që na ka shqetësuar të gjithëve”, tha ai, raporton KTV.

Prokurori i rastit Arben Kadriu, tha se vrasja nga policja V.B ka ndodhur me armë zyrtare.

“Dyshohet se një zyrtare policore në shtëpinë e saj ka vrarë nënën babën dhe dy vëllezërit dhe pastaj veten. Ishte zyrtare policore aktive dhe dyshohet se ka përdorur armën zyrtare. Për të gjitha detajet tjera iu informojmë ndërkohë sepse jemi duke e hetuar”, tha prokurori Kadriu.

Ndërsa, nënkolonel Remzi Azemi tha se “njësitet kanë dalë të gjitha në vendngjarje me të marrë lajmin”.

“Ende policia është në vendngjarje dhe të gjitha informacionet tjera do t’i merrni ndërkohë sepse është ngjarje e rëndë dhe e ndjeshme, nuk mund të japim më shumë informacione. Këto po i bëjmë në bashkëpunim me Prokurorinë dhe inspektoratin e policisë”, u shpreh ai.

15:02

Flasin familjarët e viktimave në Gjilan, thonë se s’dinë nëse kanë pasur mosmarrëveshje

Në vendin e ngjarjes ku mbetën të vdekur 5 persona, ka mbërritur edhe drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj. Megjithatë ai ende s’është prononcuar për media.

Grupi Koha raporton se në vendin e ngjarjes, po ashtu janë të pranishëm edhe familjarët e viktimave.

Familjarët e të vrarëve kanë deklaruar se nuk kanë informacione se si ka ndodhur rasti gjersa nuk kanë njohuri se ka pasur ndonjë mosmarrëveshje në të kaluarën.

Image
13:44

Policja në Gjilan vrau prindërit, dy vëllezër e më pas veten

Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, njofton se sot rreth orës 13h, nga një zyrtare policore janë vrarë 4 persona - anëtarë të familjes së saj dhe në fund e njëjta ka kryer vetëvrasje.

Sipas informatave të para, dyshohet se në lagjen ‘’Bujanina’’, në Gjilan, e ndjera V.B., zyrtare policore, në kuadër të Stacionit Policor në Gjilan, me armë zjarri ka privuar nga jeta dy prindërit dhe dy vëllezërit e saj, ndërsa, pastaj ka kryer vetëvrasje.

Raportohet se në vendin e ngjarjes menjëherë kanë dalë policia, prokurori i rastit dhe ekipa mjekësore, të cilët edhe kanë konstatuar vdekjen e tyre, ndërsa me urdhër të prokurorit trupat e të njëjtëve do të dërgohen për obduksion, në Institutin e Mjekësisë Ligjore, në Prishtinë.

"Rasti është duke u hetuar, ndërsa për detajet e tjera do të informoheni me kohë", thuhet në raport.

13:38

Vrasje e shumëfishtë në Gjilan

Dyshime për vrasje të shumëfishtë raportohet nga Gjilani.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit Ismet Hashani, e ka konfirmuar rastin për Grupin Koha, megjithëse për detaje ka thënë se do të lëshojë pas pak.

Ndërkohë, një media lokale raporton për pesë të vrarë në lagjen “Bujanina”.

Image

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme