Shpërthen bombola e gazit në një shtëpi në Kumanovë - tre fëmijë të vdekur dhe gjashtë të lënduar Foto: Alsat

Tragjedia në Kumanovë: Katër nga të lënduarit në gjendje kritike

23 February 2020 13:35
15:19

Ministri maqedonas i Shëndetësisë, Venko Filipçe ka bërë të ditur se katër nga të lënduarit në tragjedinë në fshatin Rramanli të Kumanvës janë në gjendje kritike. Një bombolë gazi ka shpërthyer të dielen në mëngjes në njërën prej shtëpive të këtij fshati, duke i lënë tre të vdekur dhe gjashtë të lënduar. Mediet më vonë kanë raportuar që të trija viktimat janë fëmijë të moshës tetë deri në njëmbëdhjetë vjeçare.

“Janë pranuar gjithsej shtatë pacientë me djegie. Katër prej tyre kanë djegie të shkallës së lartë dhe janë në rrezik për jetën. Nga këta të katërtit, dy ndodhen në Klinikën për Kirurgji plastike fjala është për dy burra të moshës 60-vjeçare. Po ashtu, dy gra të moshës 40 dhe 45 vjeçare janë duke u trajtuar në repartin e përkujdesjes intensive”, ka thënë ai në një prononcim për mediet.

13:35

Shpërthen bombola e gazit në një shtëpi në Kumanovë - tre fëmijë të vdekur dhe gjashtë të lënduar

Tre persona kanë vdekur dhe gjashtë tjerë janë lënduar nga shpërthimi i bombolës së gazit në një shtëpi në fshatin Rramanli të Kumanovës, kanë bërë të ditur autoritetet e këtij qyteti.

Ndërkohë, “Alsat” ka raportuar se tre viktimat janë fëmijë të moshës tetë deri në njëmbëdhjetë vjeç.

Sipas kumtesës zyrtare, shpërthimi kishte ndodhur në orën 10:00, në fshatin Rramanli. Nga shpërthimi i bombolës me gaz, është shkaktuar një zjarr që i ka lënë tre të vdekur në vend. Ndërkohë, gjashtë tjerë janë dërguar në Spitalin e përgjithëm të Kumanovës, raporton agjencia maqedonase e lajmeve, MIA, duke shtuar se ata më pas janë bartur në Qendrën urgjente në Shkup.

Njësia maqedonase e zjarrfikësve ka konfirmuar intervenimin në një shtëpi në Rramanli në 10:10.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme