Kulturë

Shtatorja e Çettës pesë muaj në atelie, ende pa vendim për lokacion

 

Janë bërë gati pesë muaj prejse shtatorja e Anton Çettës qëndron në atelienë e atij që e realizoi. Më 10 tetor të vitit të kaluar, shtatorja e shkrirë në bronz ishte vendosur në atelienë e skulptorit ferizajas, Agon Qosa. Ai ende nuk e di se kur do të tërhiqet ajo për t’u vendosur në Prishtinë. Realisht këtë nuk e dinë as Këshilli organizativ, as Agjencia për menaxhimin e komplekseve memoriale, që e ka porositur shtatoren, e as Komuna e Prishtinës.

Hapësira në hyrje të Institutit Albanologjik të Prishtinës, mbetet ende alternativë megjithëse Instituti ka refuzuar një kërkesë për vendosjen e shtatores para ndërtesës. Opsion tjetër është këndi i oborrit të Fakultetit të Filologjisë. Poras për këtë s’ka diçka definitive. Ka dy vjet që çështja e lokacionit për shtatore s’ka marrë epilog.