Kulturë

Kujdesi amerikan dhe ai kosovar për dorëshkrimet orientale

 

Në dimrin që shkoi kisha rastin të merresha me ca hulumtime në Bibliotekën e Universitetit të njohur amerikan Yale në New Haven, në shtetin Connecticut, në veri të New Yorkut. Universiteti Yale është ndër dhjetë universitetet më të mira në botë, ndaj vetë vizita dhe puna në bibliotekën e pasur kanë domethënien e vet, shkruan sot Koha Ditore.

Universiteti Yale njihet si i dyti në botë (pas Harvardit) me bazën materiale që e kap shumën prej 29.94 miliardë dollarësh (më 2018), si dhe me bibliotekën e vet, e cila është e dyta me më shumë se 15 milionë libra. Ç'është e vërteta, ky universitet u themelua më 1701 si shkollë teologjike, kurse më 1716 u shndërrua në kolegj me këtë emër në shenjë mirënjohjeje ndaj afaristit E. Yale, i cili ia ofroi një donacion të majmë dhe bibliotekën e vet të pasur.