Tomasheviq: Me fotografi kundër luftërave

Tomasheviq: Me fotografi kundër luftërave

Bekim Kupina Bekim Kupina 28 April 2019 08:38

Një gjel afër trupit të një djaloshi që ka pësuar nga qërimi i hesapeve ndërmjet bandave në Honduras. Kjo është pamja që ka kapur objektivi i fotoreporterit të luftës, Goran Tomasheviq, dhe e cila ia solli çmimin “Pulitzer”, më prestigjiozin në gazetari, shkruan “Koha Ditore”.

Image

Fotoja është bërë në shtator të 2018-s, teksa Tomasheviq një javë më parë bashkë me 10- kolegë të tjerë fotografë të agjencisë “Reuters” fituan “Pulitzerin”. Ata kanë ngadhënjyer në kategorinë “Breaking News”, me cikël fotografish që portretizojnë migrimin masiv të njerëzve nga Amerika Qendrore dhe ajo Jugore drejt SHBA-së.

Tomasheviq që nisi punën prej fotografi në vitet e 90-a, në kohën e shkatërrimit të ish-Jugosllavisë, prej vitesh është bërë regjistrues i situatave të ndjeshme në anë të ndryshme të globit.

Nga 1996-a, ai punon si fotoreporter në “Reuters”. I linduri në Beograd ka fotografuar qytetin e lindjes teksa rrënohej në disa pjesë të tij nga bombat e NATO-s.

Më pas, fotografoi edhe tablo lufte në zonën e Drenicës, vendi i prejardhjes së babait të tij.

Në një intervistë për “Koha Ditore”, Tomasheviq e cilëson pjesën më të ndjeshme të punës së tij mbulimin e luftës në Kosovë. Thotë ta ketë ditur për përplasjet ndëretnike në Kosovë, porse si njeri i lindur në kryeqytetin serb nuk e ka pasur situatën të qartë krejtësisht. Sido që të jetë, si profesionist i rryer në fotografimin e luftërave apo përplasjeve ndërnjerëzore, Tomasheviq ka vetëm një dëshirë: që në Kosovë dhe kudo të mos lejohet të përsëriten ngjarje të tilla.

Me përvojë të gjatë në fotografi, Tomasheviq tërheq një linjë të hollë ndërmjet profesionalizmit dhe humanizmit. Megjithatë, të dyja i sheh të ndërlidhura ngushtë. Sipas tij, nuk mund të jesh profesionist i mirë, po që se nuk je njeri dhe humanist. Ndaj në linjën e mbrojtjes së profesionalizmit, Tomasheviq thotë se fake news dhe fake fotografitë prodhojnë luftëra. Për këtë shkak, ai kërkon mobilizim të medias kundër fake prodhimeve mediale, të cilat i cilëson “superfuqi shkatërruese”.


KD: Zotëri Tomasheviq, janë më shumë se dy dekada të punës suaj si fotoreporter në zona lufte, “Pulitzeri” është kurorëzim i punës së deritashme. Kur e morët lajmin për këtë çmim, cila pamje ju doli përpara?

Tomasheviq: Ëndrra e secilit fotoreporter është ta fitojë çmimin “Pulitzer”. Prandaj, edhe unë e kam pasur një ëndërr të tillë. Dëshira e tillë më ka udhëhequr gjatë gjithë kohës, sikurse që edhe e ka diktuar rrugën time profesionale.

Kolegët më kanë bindur që fotografitë e mia nga Kosova, pastaj nga Iraku, Libia, Siria, e meritojnë “Pulitzerin”. Kam qenë i befasuar dhe i gëzuar që kam fituar një motiv të ri dhe të madh për punë të mëtejme.

KD: Në fakt, ju keni fituar me një foto të realizuar mrekullisht. Tabloja përbëhet nga një gjel afër trupit të një djaloshi të vrarë në qërimin e hesapeve ndërmjet bandave në Honduras? Si e shihni relacionin ndërmjet rrezikut dhe profesionalizmit?

Tomasheviq: Rreziku është pjesë e punës. Kurse profesionalizmi nënkuptohet. Kush nuk dëshiron të rrezikojë le të fotografojë në sfilata mode. Mandej edhe për atë është i nevojshëm shumë profesionalizmi dhe ka më pak rrezikshmëri. Kur fotografon luftëra dhe fatkeqësi, e bota është përplot të tilla, fatkeqësisht, duhet të mbështetesh në profesion dhe ta sakrifikosh një pjesë të vetes.

KD: Megjithatë, ju jeni sfiduar në zona lufte dhe mbase jeni bërë një me rrezikun. Keni nisur punën më 1991 në kohën e dekompozimit të ish-Jugosllavisë. Më pas vijnë ngjarje më të ndjeshme që kulmojnë me luftën. Objektivi juaj ka kapur edhe pamjet e luftës në Kosovë. 20 vjet më pas, ju ende jeni regjistrues besnik i situatave të tilla. Çfarë ju ka mbetur e freskët nga lufta në Kosovë dhe cili ka qenë momenti më delikat gjatë punës suaj në këtë terren?

Tomasheviq: Më i zorshmi në karrierë për mua ka qenë rrëfimi për Kosovën. Kjo, ngase im atë është me prejardhje nga Drenica. Rrënjët e mia janë nga Kosova. Kam pasur njohuri për tensionet etnike, por si një njeri që ka lindur në Beograd, nuk kam arritur t’i kuptoj.

Kur kam bërë foto në shkretëtirat afrikane, e kam pasur të qartë se njerëzit atje luftojnë ngase nuk kanë asgjë për të mbijetuar. Kosova është pjesa më e bukur e ish-Jugosllavisë, i ka të gjitha. Teksa njerëzit nuk mund të merren vesh se si të jetojnë në paqe. Më së shumti më ka goditur e keqja, të cilën ia kanë shkaktuar njerëzit njëri-tjetrit.

Frika në sytë e fëmijëve shqiptarë, serbë, boshnjakë, apo romë. Kjo është pamja nga Kosova, e cila më përcjellë prej vitesh.

Njerëzit e mençur asnjëherë nuk duhet ta lejojnë përsëritjen!

KD: Por, i kalitur për këtë punë, ju patët rastin ta fokusoni edhe rrëzimin e shtatores së Sadam Huseinit, Intifadën e dytë në Jerusalem, një pjesë të pranverës arabe në Egjipt e Libi, pavarësinë e Sudanit Jugor etj. Në një shëtitje të tillë telegrafike, a merr fund lufta për një fotoreporter?

Tomasheviq: Detyrë e jona është që botës t’ia tregojmë të gjitha lemeritë e luftës. Kjo, në mënyrë që bota të ndihmojë që lufta të ndalojë dhe konfliktet të shmangen.

Kjo është lufta ime kundrejt luftës, e cila asnjëherë nuk ka të sosur. Kam parë shumë fatkeqësi që i prodhon lufta, shumë fate njerëzore të shkatërruara...Ka shumë gjak edhe në fotografitë e mia. Ky gjak është njëlloj alarmi ndaj botës së fuqishme, që t’i ndalojë konfliktet. Ky është misioni i fotoreporterëve të luftës.

KD: Më 1993, kolegu juaj, gjithashtu fitues i “Pulitzer”, Kevin Carter, realizoi fotografinë antologjike që mban titullin “The Struggling Girl”. Një vajzë sudaneze në prag urie, afër së cilës qëndron një shpend grabitqar. Por, kjo tablo hapi dilema të mëdha. Humanizmi përpara profesionalizmit?! Për ju si një stazhier, ekziston një dilemë e tillë?

Tomasheviq: Nëse duhet të zgjedh, nëse dikujt duhet t‘ia shpëtoj kokën apo të fotografoj... çdoherë do ta zgjidhja të parën. Por, kur fotografia ta bëjë xhiron nëpër botë, rrjedhimisht në mënyrë preventive ajo shpëton shumë jetë. Njeriu duhet të jetë human, teksa fotografi duhet të jetë profesionist. Këto të dyja zakonisht shkojnë bashkërisht. Nëse nuk je profesionist, nëse është ndërhyrë në fotografi dhe ato janë retushuar, atëherë nuk jeni i mirë, as human e as njeri.

KD: Në kohën e ekspansionit të teknologjisë informative, a jemi të gjithë fotografë?

Tomasheviq: Fotografia është zanat. Një fotograf i mirë duhet patjetër t’i njohë fshehtësitë e zanatit. Duhet çdo ditë të mësojë. Por, më e rëndësishme është që ai të ndodhet në vendin dhe kohën e duhur.

Ne jemi dëshmitarë të historisë, ne e jetojmë historinë. Kur e fotografoni një moment historik është sikurse të jetë dhuratë hyjnore. Kjo është një shans e rrallë, të cilën mund ta ketë dikush. Shumë fotografë kurrë nuk e kanë një mundësi të tillë. Nga ana tjetër, ka edhe fotografi epike të realizuara nga fotografë amatorë, rastësisht, por që janë shumë me vlerë.

KD: A i ka mbytur kujtimet fotografike, digjitalizimi. S’ka më kujtime fëmijërie, gjithçka po mbetet në smartfonë. Ku mbetet kujtesa njerëzore nëse vazhdojmë të fotografojmë, e të mos i kemi fotot e shtypura?

Tomasheviq: Së shpejti gazetat do të pushojnë së shtypuri. Familjet më nuk do të mblidhen për ta parë televizorin. Pra, të gjithë jemi bërë të varur nga smartfonët. Ata janë lidhja jonë me njerëzit, na sjellin lajmet, apo kur na dhemb koka, smartfoni “na jep” diagnozën dhe na përshkruan ilaçin. Këtu do t’i gjejmë edhe kujtimet.

KD: Derisa ka fake news, a ka fake fotografi?

Tomasheviq: Gjithherë ka pasur lajme të rrejshme dhe fotografi të montuara. Ky është lëndimi më i madh që i bëhet profesionit. Kundër kësaj duhet të luftojmë ne që jemi në media. Luftërat fillojnë pikërisht mbi bazën e lajmeve dhe të fotografive të rrejshme. Ky është një dëm i madh ndaj njerëzimit dhe një superfuqi për manipulim.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme